Futboll

Stons ‘X-Factor’ i vërtetë i Mançester Sitit, Guardiola ka goditur në shenjë

Gazeta Si – Ethet e finales së Championsit sa vijnë dhe shtohen, dy skuadrat kanë mbërritur tashmë në Stamboll, ku do të jenë sytë e gjithë botës mbrëmjen e së shtunës. Në tribunë do të jetë edhe lideri turk, Erdogan.

Interi dhe Mançester Siti janë në përgatitjet e fundit para se të dalin në skenën e madhe. Për Inzagin mund të ketë ndonjë dilemë, por jo për Guardiolën. Spanjolli e ka të fiksuar edhe 11-shin e finales, atë me të cilin ka ardhur deri këtu.

Stons dhe Guardiola. Gazeta Si, 9 qershor 2023

Gjetja e fundit e Pep Guardiolës është Xhon Stons, mbrojtësi që është bërë mesfushor dhe që prej atij momenti ‘qytetarët’ vetëm po fitojnë.

Lojtari i datëlindjes 1994 ka luajtur 66 ndeshje me kombëtaren e ‘Tre Luanëve’, që prej vitit 2016 është pjesë e Sitit dhe është një nga pikat kyçe aktualisht me Guardiolën. Në vendin e tij ka fituar 13 trofe, mes tyre 5 tituj kampion.

Është nja nga ata që nuk mendonte se do të bëhej futbollist profesionist, por më pas treguar se ishte i vlefshëm edhe për skuadrën pikë referimi në Angli gjatë viteve të fundit. Xhon Stons është vërtet ‘x factor’ i Guardiolës.

Trajneri spanjoll hedh në fushë nga minuta e parë 4 mbrojtës, por Stons ka një pozicion ndryshe nga tre të tjerët, Ruben Diaz, Uollker dhe Akanzhi, që qëndrojnë në vijë të drejtë. Stons luan më përpara, paralel me Rodrin, duke bërë mesfushorin. Pse ky pozicion? Stons duket se mbulon mirë zonat prapa dhe lejon lojtarë si Gyndogan dhe De Bryjne të avancojnë lirshëm përpara.

Stons ne dyluftim me Modriç. gazeta Si, 9 qershor 2023

Jo më kot këta dy të fundit gjenden vazhdimisht përballë portës kundërshtare dhe shënojnë gola sistenmatikisht. Mançester Siti ka vazhdimisht kontrollin e topit dhe sulmon me shumë forca, në qendër dhe nga krahët me Bernardo Silvën dhe Grilish. Vendosja e Stons në qendër të mesfushës duket se i jep më shumë ekuilibër Mançester Sitit dhe Interit i duhet të gjëjë një mënyrë për ta prishur atë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë