Bota

Stoltenberg: Ukraina duhet të lejohet të përdorë armë të furnizuara nga Perëndimi

Gazeta Si - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se Ukraina duhet të lejohet të përdorë armë të furnizuara nga Perëndimi në sulmet kundër objektivave brenda Rusisë. Ai u bëri thirrje aleatëve që të heqin kufizimet në këtë drejtim për Kievin.

“Unë mendoj se ka ardhur koha që aleatët të shqyrtojnë nëse duhet të heqin disa nga kufizimet në përdorimin e armëve që i kanë dhuruar Ukrainës, veçanërisht tani që luftimet po vazhdojnë ashpër në Kharkiv. Duke u mohuar ukrainasve mundësinë e përdorimi të këtyre armëve kundër objektivave legjitime ushtarake në territorin rus e bën shumë të vështirë mbrojtjen e tyre”, u shpreh Stoltenberg.

Kreu i aleancës më të fuqishme ushtarake në botë argumentoi se vetëmbrojtja është e përfshirë në Kartën e OKB-së ndërsa mohoi përfshirjen e drejtpërdrejtë në luftë.

“Është e ligjshme ndihma që po I japim Ukrainës të mbrojë të drejtat e saj, përfshihet edhe në Kartën e Kombeve të Bashkuara. Ne nuk do të përfshihemi në operacione luftarake, nuk kemi ndërmend të dërgojmë trupa tokësore të NATO-s në Ukrainë. Ne duam të mbështesim Kievin, por gjithashtu të sigurojmë që situata të mos kthehet në një përshkallëzim konflikti në shkallë të plotë”, tha ai.

Reagimi i Stoltenberg vjen mes tensioneve në rritje të Rusisë dhe Perëndimit, pasi Kremlini e ka konsideruar "të rrezikshme" mbështetjen që blloku i ka ofruar Kievit.

Moska nisi zyrtarisht këtë muaj stërvitjet me armë bërthamore taktike pas deklaratës së Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron që përkon me atë të Stoltenberg dhe njoftimit të presidentit francez, Emanuel Macron për dërgimin e ndihmave ushtarake në Ukrainë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë