Futboll

Stoli i minuar i Tiranës, aty ku ndërrimi i trajnerit është një hobi

Në vend që të ishte një model për klubet shqiptare, Tirana, ekipi më i titulluar në vend, është më problematiku në aspektin administrativ. Sidomos kohët e fundit, ose më mirë në epokën e Refik Halilit, Tirana është shndërruar një ekip që “ha” trajnerë. Qarkullon si një legjendë në ambientet futbolldashëse në kryeqytet, por ka një të vërtetë brenda: te Tirana mendojnë si e si të heqin trajnerin, pak rëndësi ka kush është ai dhe sa i aftë është, ai duhet të largohet për të ardhur dikush tjetër. Është kthyer në një hobi kjo gjë.

Një situatë që bëhet shpesh edhe komike, si në rastin aktual. Pas humbjes në Korçë, Julian Ahmataj dha dorëheqjen, presidenti Halili e votëbesoi, Tirana humbi edhe në fushën e vet me Kukësin dhe elbasanasi është sërish i ikur, edhe pse jo zyrtarisht. Në fakt, asgjë nuk duhet marrë e sigurt te Tirana, sepse gjithçka ndodh. Bledar Devolli, Skënder Gega dhe Gugash Magani janë emrat “në ajër” për t’u ulur në stolin e minuar të Tiranës, secili prej tyre ka mundësi reale, por nuk është çudi që të vazhdohet me Ahmatajn. Presidenti i Tiranës është shpesh i lëkundur në vendimet që merr dhe tani thjesht duhet pritur për të parë kush do ta drejtojë ekipin në stërvitje. Përpara është derbi dhe çdo lëvizje duhet menduar mirë.

Trajneri i Tiranës, Juljan Ahmataj, gjatë ndeshjes ndaj Kukësit. Gazeta Si, 9 dhjetor 2019

Kritikat nga ish-lojtarë dhe ish-drejtues të Tiranës janë shumë të ashpra në këtë moment, ku shigjetat drejtohen te presidenti Halili për një menaxhim të keq të klubit, me njerëz jo profesionistë, por edhe për ndërhyrje në formacion. Askush nuk del hapur, por janë akuza që nënkuptojnë se te Tirana duhet të luajë në formacion me çdo kusht djali i presidentit. Ka edhe akuza të tjera për klane lojtarësh, por kjo është në kuadrin e thashethemeve. Bardheblutë kanë kohë që vuajnë, madje pak sezone më parë prekën fundin, duke rënë në Kategorinë e Parë. Klubi nuk ka stabilitet dhe të gjithë fajësojnë drejtuesit.

Në futboll ka një shprehje shumë të njohur: “Trajneri është gjithmonë me valixhe në duar”. Dhe vërtet kështu është, por te Tirana trajneri nuk ka kohë as t’i lëshojë valixhet nga dora për asnjë moment, sepse në klubin bardheblu e presin “me këmbët e para”. Trajneri i Tiranës, gjithmonë duke iu referuar zërave të specialistëve të futbollit, nuk ka pavarësi në punën e tij dhe as kohë për të treguar se çfarë di të bëjë. Ardian Mema, i cili nisi sezonin, u largua pas një marrëveshje ekonomike me presidentin Halili, e njëjtë është situata edhe me Ahmatajn, në pritje të trajnerit të tretë, kur jemi ende në fillim të dhjetorit. E sigurt është që Tirana do të paguajë të paktën tre trajnerë për këtë sezon dhe këtu sigurisht që ka diçka që nuk shkon me kupolën drejtuese të saj. Pastaj vijnë lojtarët që kanë përgjegjësitë e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë