Futboll

Stiven Shpendi kalon tek Empoli, sulmuesi u bashkohet kuqezinjve të Serisë A

Gazeta Si – Një tjetër kuqezi në Serinë A: Stiven Shpendi. Sulmuesi 20-vjeçar ka kaluar nga Çezena tek Empoli, ekipi që për futbollistët shqiptarë ka qenë një trampolinë shumë e mirë. Kujtojmë që më parë me Empolin kanë luajtur Elseid Hysaj, Kristjan Asllani dhe Nedim Bajrami.

Shpendi, që luan me Shqipërinë U-21, do të gjejë aktualisht tek Empoli mbrojtësin Adrian Ismajli. Sulmuesi spikati sezonin e fundit te Çezena dhe disa klube ishin vënë në ndjekje të tij, madje kishte edhe një interesim të Juventusit, por tashmë gjithçka ka marrë formë zyrtare.

Marrëveshja për lojtarin shqiptar është që ai të jetë pjesë e Empolit për dy vitet e ardhshme. Në fund të kësaj periudhe klubi italian është i detyruar ta blejë përfundimisht kartonin e sulmuesit.

Vetëm një ditë më parë në Serinë A u zyrtarizua një tjetër futbollist i Kombëtares, mesfushori Ylber Ramadani, i cili firmosi për Leçen, duke lënë Aberdinin në Skoci. Aktualisht në Serinë A luajnë gati gjysma e lojtarëve të Kombëtares, si Hysaj, Kumbulla, Gjimshiti, Ismajli, Bajrami, Asllani, Berisha dhe Ramadani, së fundi dhe i riu Shpendi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë