Njerez

Stipe Mesiç, kroati më i vyer i shqiptarëve

Dashuria e tij për shqiptarët lindi që në kohën kur ai vuante qelitë e burgut, kur Kroacia kërkonte mëvetësinë nga ish-Jugosllavia. Dhe që atëherë ish-presidenti kroat Stipe Mesiç ka qenë i pari që ka mbrojtur të gjitha kauzat shqiptare dhe është kthyer në një avokatët më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës.

Në 106-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ai u dekorua nga kreu i shtetit shqiptar Ilir Meta me dekoratën e “Flamurit Kombëtar”, dekoratë të cilën me siguri do ta vendosë mbi tavolinën e shkrimit në zyrën e tij, ku ruan të gjitha çmimet e marra nga Prishtina dhe Tirana zyrtare.

Meta deklaroi se ky nderim ishte pak për përpjekjet e vazhdueshme që ka pasur ish-presidenti Mesiç në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Ballkan dhe mbrojtjen e interesat e përpjekjeve të Kosovës për Pavarësi. “Presidenti është një mik i pazëvendësueshëm, i cili ka mbrojtur të drejtat e shqiptarëve. Ai ka më shumë se 50 vite në mbështetje të shqiptarëve”, deklaroi ai.

Presidenti Meta dhe Stipen Mesic

“Flamuri Kombëtar” ishte i fundit mes titujve të shumtë të grumbulluar nga Mesiç gjatë karrierës së tij. Duke kujtuar ditët e burgimit në kohën e ish-Jugosllavisë, kur ndante qelinë dhe ushqimin me shqiptarë, ai ka vlerësuar në një sërë intervistash kontributin e shqiptarëve në themelimin e shtetit të pavarur kroat. Mesiç ka rrëfyer në një intervistë të vitit 2015 “dobësinë e tij për shqiptarët”. Ish-presidenti shprehej në atë kohë: “Kur kam qenë në burg në kohën e ish-Jugosllavisë, qelinë e ndaja me 35 të tjerë të burgosur, 5 prej tyre ishin shqiptarë. Me ta ndaja të njëjtën hapësirë, të njëjtin ushqim… të njëjtin tualet. Kështu u bëmë miq të mirë. Ky ishte kontakti i parë, nga shumë kontakte të tjera që kam pasur me Shqipërinë dhe me shqiptarët”.

“Unë jam një njeri që gjithmonë ka njohur realitetin. Është e njohur për këdo se bota ndaj shqiptarëve nuk ka qenë kurrë zemërgjerë, veçanërisht ndaj shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë. Shqiptarët në ish-Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene nuk kanë pasur asnjë të drejtë. Ata nuk kishin të drejtë për kombësi, gjuhë, kulturë, nuk kishin asgjë. Në Jugosllavi, në Jugosllavinë e pasluftës, Jugosllavinë e Titos, shqiptarëve iu dha e drejta për kulturën, për gjuhën dhe kombësinë e tyre, por pavarësisht nga fakti se ata ishin më të shumtë në numër se disa etni të tjera si sllovenët apo malazezët, nuk ishin të barabartë, nuk iu dha statusi i Republikës. Që atëherë unë kam mbrojtur gjithmonë mendimin se shqiptarët duhet të trajtohen si çdo komb tjetër brenda Jugosllavisë”, rrëfente ai për Gazetën Shqip. 

Stipe Mesic

Pak pas kësaj interviste, ai u shfaq duke bërë më duar simbolin e shqiponjës dykrenore, në mbështetje të kandidatit shqiptar Idris Sulejmani, i cili garonte për të zënë vend në parlamentin kroat. Si një nga avokatët më të mëdhenj të komunitetit shqiptar në Kroaci, ai ka mbështetur vazhdimisht të gjitha personalitet dhe kandidatët shqiptarë në shtetin ballkanik. Ish-presidenti ka vlerësuar vazhdimisht shqiptarët që i dolën në mbrojtje Kroacisë gjatë luftës së vitin 1991. “Milosheviçi mendonte se shpërbërja e Jugosllavisë ishte moment i duhur për të zgjeruar Serbinë me territore kroate dhe boshnjake. Në këtë luftë që na u imponua filluam të kërkonim aleatë dhe një nga aleatët kryesorë ishin shqiptarët në Kroaci, sepse unë duhet të them, që nuk di ndonjë shqiptar, nuk kam asnjë informacion të tillë, që të ishte në anën e armiqve tanë. Pra, së bashku me shqiptarët, mbronim Kroacinë dhe realisht e mbrojtëm Kroacinë, përpara se disa prej tyre të shkonin në një luftë të dytë, atë për pavarësinë e Kosovës”, deklaroi ai në vitin 2015. 

Edhe pse dekorimi i tij erdhi në një situatë tejet të tensionuar politike për Shqipërinë, Mesiç ia doli të bënte bashkë pas shumë kohësh Gramoz Ruçin dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Por një nga miqtë e tij më të mirë shqiptarë është ish-presidenti Aleksandër Moisiu, më të cilin ka ndarë shumë sfida të përbashkëta politike. Duke folur për marrëdhëniet e mira me ish-kreun e shtetit shqiptar ai është shprehur disa ditë më parë se : Moisiu dhe unë kemi pasur pikëpamje të ngjashme për shoqërinë dhe për botën dhe kemi krijuar një miqësi të vërtetë, jo vetëm ne personalisht, por dhe familjet tona. Ne ramë dakord që derisa të ishim në funksion do të përpiqeshim të intensifikonim marrëdhëniet dhe takimet tona, njëkohësisht edhe qëndrimet zyrtare të vendeve tona për çështje me interes të përbashkët, si qëndrimi unanim për çështje si Kosova. Kur duhej zgjidhur kjo çështje e Kosovës, ne gjithmonë kemi pasur qëndrim të unifikuar përpara Kombeve të Bashkuara, përpara institucioneve europiane. Ne kemi përkrahur gjithmonë të njëjtën politikë dhe kemi mbetur miq të mirë dhe ndonëse tani jemi në pension, takohemi në aktivitete të përbashkëta disa herë në vit”, deklaroi Mesiç.

Ai ka bërë thirrje vazhdimisht që Shqipëria dhe Kroacia të ndërtojnë marrëdhënie më të forta, duke u shprehur se: Shqipëria është më shumë se një vend fqinj për ne, së pari ne jemi vende mesdhetare, ne kemi të njëjtin det, ne kemi burime të përbashkëta kulturore, shqiptarët i konsideroj si popullin më të vjetër në Europë, kushdo që e interpreton ndryshe gabon, sepse kur thuhet se dhe shqiptarët kanë ardhur prej diku, le të më thonë atëherë nga ku vijnë? Para romakëve shqiptarët ishin këtu, pra një popull me një kulturë të tillë të vjetër, një komb që në tërë historinë e tij ndodhet në këtë hapësirë europiane për ne duhet të jetë nder që mund të punojmë mirë së bashku. 

Si një nga figurat që luftoi për shkëputje totale të shtetit kroat nga shteti serb, ai ka bërë së fundmi evident rrezikun serb edhe mbi Kosovën, duke thënë se Prishtina duhet të shkëputet njëherë e përgjithmonë nga Serbia dhe ndikimi serb.

Sipas tij, Serbia ka dëshmuar dhe po dëshmon se nuk njeh parime njerëzore, përpos forcës, gjakut, hekurit dhe represionit. Ai ka ngritur paralele mes Kosovës dhe Bosnjes, duke ngritur alarmin për rrezikun e copëtimit të Kosovës nga ana e Serbisë. Pas marrjes së çmimit nga Meta, ish-presidenti i Kroacisë theksoi se dekorata është një vlerësim për punën dhe një forcë për të vijuar përpara në të njëjtin mision.

Stipe Mesic dhe Isa Mustafa

Ai foli për regjimin e Millosheviçit, i cili sipas tij luftoi për Serbinë e Madhe, por në fund kjo nismë përfundoi me zero centimetra të fituar duke lënë 100 mijë të vrarë.
“Sot e pranoj këtë dekoratë për atë që kam bërë, por edhe për atë që më duhet të bëjë. Siç e dini edhe ju, unë kam qenë për 10 vite në krye të Kroacisë. Kam punuar dhe bashkëpunuar me Shqipërinë si dhe të drejtat e shqiptarëve në Ballkan”, tha ai. Si president jam angazhuar për të drejta dhe të padrejta që iu janë bëra atyre në Jugosllavi. Në krye të Serbisë ka qenë Millosheviç, i cili nuk ka pranuar federatën dhe konfederatën. Ai ishte mbështetë i Serbisë së Madhe të Pastër. Njëherë ka qenë Tito me karizmën e tij. Tito ka ikur nga jeta. Faktori i dytë integrativ ka qenë partia Komuniste është shkatërruar. 

"Faktori i tretë ka qenë ushtria jugosllave. Për Milloshevici as kushtetuta as ligji nuk kanë patur rëndësi. Milloshevici ka qenë kundër çdo marrëveshje, ai ka qenë nismëtar i luftërave dhe zgjerimin e kufijve. Mbi 100 mijë të vdekur. Ai nuk ka fituar asnjë centimetër kufij. Ne tani kemi një absurd, shumë flasin që Milloshevici ka pasur ide të mira, por nuk i ka realizuar. Një politikë të gabuar. Kjo është njësoj sikur të themi se Hitleri në Gjermani ka patur ide të mira, por nuk i ka realizuar. Drejtimi drejt BE. Britania e Madhe ka dalë nga BE, ajo është në fakt në proces të ndarjes. E rëndësishme është që Europa të bashkohet së bashku me vendet e Europës Juglindore”, tha mes tjerash, Mesiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë