Futboll

“Sterling? I thyejmë njërën këmbë”, trajneri i Kosovës bëhet hit sërish

Bernard Shaland, trajneri i Kosovës, është kthyer në një yll të rrjeteve sociale. Skenat e tij në dhomat e zhveshjes janë bërë virale, ashtu si dhe batutat e zviceranit gjatë konferencave për shtyp, ku ai dhuron spektakël. E fundit është ajo para ndeshjes me Anglinë.

Kosova është një nga surprizat më të bukura të futbollit europian. Ajo e nisi aventurën ndërkombëtare me kualifikueset e Botërorit të fundit, ndërsa në Ligën e Kombeve ka bërë një figurë shumë të mirë, ashtu si dhe në eliminatoret e EURO 2020, ku mban vendin e tretë, pas Anglisë dhe Republikës Çeke, duke lënë pas Malin e Zi dhe Bullgarinë. Një skuadër kompakte dhe një trajner i veçantë si Bernard Shaland. Në konferencën e fundit për shtyp ai ka folur për ndeshjen me Anglinë dhe ka bërë një batutë, që nëse nuk do të kishte dalë nga goja e një personazhi si ai, do të ishte censuruar.

Trajneri i Kosovës është pyetur për kthimin e Sterling tek Anglia, pasi në ndeshjen me Malin e Zi Southgejt e la jashtë, për shkak të sherrit me Gomez. Sot pritet të jetë në fushë nga minuta e parë dhe Shaland e ka të qartë si duhet ndalur ylli i Mançester Sitit. “Për ne është një lajm i keq rikthimi i Sterling. Ai është një nga më të mirët në botë dhe pas asaj që ndodhi duhet të bëjë më të mirën”, - ka thënë Shaland. Deri këtu gjithçka në rregull, por më pas vjen batuta: “Duke njohur potencialin e Anglisë në sulm, nuk mund të marrim masa individuale, por si skuadër. Mund të jetë kjo një zgjidhje. Ose mund t’i thyejmë njërën këmbë Sterling! Por nuk është në stilin tonë, jemi shumë të sjellshëm për të bërë një gjë të tillë. Jemi shumë të sjellshëm dhe nëse luajmë të bashkuar, nuk do të jetë problem”.

Një batutë e trajnerit të Kosovës, por duke parë problemet e fundit të Sterling, mes racizmit dhe sherreve, më mirë të ishte evituar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë