Drejtësia

‘Sterilizimi’, Ilir Beqaj rikthehet në GJKKO për të lexuar faqet e mbetura të dosjes hetimore

Gazeta Si - Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është rikthyer sërish në ambientet e Prokurorisë së Posaçme këtë të mërkurë për të vijuar leximin e dosjes në ngarkim të tij, ku është nën hetim për shpërdorim detyre për aferën e “Sterilizimit”.

Më herët, ai refuzoi që të paguante tarifën prej 120 mijë lekësh për ta marrë me vete. Më 28 mars, kur doli nga SPAK, ai tha se kishte mundur që të shihte vetëm 15 fashikuj, nga 700 të tillë.

Avokati i tij e justifikoi këtë veprim, duke thënë se tarifa e vendosur nga SPAK-u është shumë e lartë.

SPAK e vendos tarifën në bazë të volumit të materialeve që duhen skanuar dhe printuar.

Bëhet fjalë kryesisht për skanimin e 190 mijë faqeve për 9 të pandehurit për dosjen e koncesionit të sterilizimit.

Por ish-ministri nuk e pa të arsyeshme të paguajë pjesën që i takon për prokurorinë, që e akuzon shpërdorim detyre në bashkëpunim.

Beqaj është marrë i pandehur me vartësin e tij Klodian Rrjepaj, biznesmenin Ilir Rrapaj që fitoi koncesionin e sterilizimit dhe 6 persona të tjerë.

Të enjten (nesër, 18 prill) është parashikuar të zhvillohet edhe seanca paraprake, ku do të vendoset nëse dosja ndaj tij do të kalojë ose jo për gjykim.

Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet për dosjen e koncesionit të sterilizimit dhe ka vënë nën akuzë 9 persona. Mes tyre është edhe Beqaj ndaj të cilit është caktuar më herët masa e detyrimit për t’u paraqitur.

Nga hetimet ka rezultuar se ish-ministri nuk ka evituar konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncesionit me vlerë 100 milionë Euro dhe nuk ka kërkuar studim të detajuar për nevojat e sterilizimit në mënyrë që të zgjidhte një variant më pak të kushtueshëm.

Masat ndaj 8 ish-zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë:

-Klodjan Rjepaj: arrest me burg për “shpërdorim detyre”

-Ilir Rrapaj: arrest me burg për “mashtrim me pasoja të rënda”

-Saimir Kadiu: arrest shtëpie për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”

-Marsela Serjana: arrest shtëpie për “falsifikim dokumentesh:” dhe “shpërdorim detyre“

-Arben Gjata: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”

-Naile Ajazi: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe ‘shpërdorim detyre”

-Genc Byrazeri: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”

-Petri Mersini: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë