Drejtësia

‘Sterilizimi’, Ilir Beqaj del nga SPAK pas rreth 9 orësh: Hetimet janë ende shumë të ngushta

Prej pothuajse 9 orësh, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, doli nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizua, ku u pyet nga prokurorët në lidhje me çështjen e "Sterilizimit" që po hetohet.

Në dalje, Beqaj tha se çështja është komplekse dhe seancat e marrjes në pyetje do të vazhdojnë ditë të tjera.

Beqaj tha se hetimet për koncesionin e sterilizimit janë ende të ngushta dhe se ato duhet të ndahen në dy faza, ajo nga marsi i 2011 deri në shtator 2013 kur u ngrit qendra e sterilizimit pranë QSUT-së dhe që s’u vu asnjëherë në punë dhe përfitimet e koncesionit.

“Janë disa seanca të gjata pyetjesh që do të thotë që çështja është komplekse, është e gjerë. Edhe sot nuk përfunduam seancat e pyetjeve, do të vazhdojmë edhe në ditët e tjera sidomos kur të kemi të plota edhe materialet e KLSH sepse pikënisja e atyre çfarë pretendohet në masën e sigurisë ndaj meje janë raportet e KLSH. Gjithashtu besoj se hetimet me sa kemi parë deri tani janë ende shumë të ngushta, është e domosdoshme që të shtrihen në 2 pjesë. Së pari, nga Marsi 2011 deri në Shtator 2013 për të hetuar tashmë pse 2 vjet e gjysmë u mbajt në qese ai central dhe nuk u vu asnjëherë në punë. Por edhe tashmë janë bërë 8 vjet nga zbatimi i kontratës për të hetuar kush janë përfitimet e drejtpërdrejta të qytetarëve dhe buxhetit të shtetit nga zbatimi i kësaj kontrate".

Beqaj bëri të ditur se seanca të tjera të gjata do të pasojnë. Po ashtu, ish-ministri tha se mori konfirmim nga prokurorët se sendet që iu sekuestruan më 28 tetor do t’i kthehen së shpejti.

"Sot gjithashtu me prokurorët komunikuam dhe më konfirmuan që do kem së shpejti ato sende që u sekuestruan në 28 Dhjetor por që lidhen me vazhdimin e hetimit për sterilizimin. Dy dokumentet e udhëtimit jashtë shtetit që sot i mora dhe faktin që pasi të përfundojnë këto inspektimet elektronike të marra në shtëpi, do të kthehen. Besoj se ajo që është e rëndësishme sot u sqarua dhe fakti që gazi dhe aneksi 8 kanë lidhje sterilizimi dhe s’kanë asnjë lidhje me çështjen tjetër”, tha ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.

Ky i fundit është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për dosjen e e koncensionit të sterilizimit dhe dyshohet për shpërdorim detyre, ndërsa SPAK ka vendosur masë sigurie "detyrim paraqitje".

Sot ishte hera e tretë që Beqaj u pyet nga SPAK. Ai u paraqit në Prokurori që prej orës 09:00 nën praninë e avokatit.

Çdo të premte, ai duhet të paraqitet në 15:30 para oficerit të BKH-së.

Për të njëjtën dosje, në burg ndodhet ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe biznesmeni që fitoi koncensionin, Ilir Rrapaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë