Motosport

Stefano Domenikali në krye të Formulës 1, pritet vetëm zyrtarizimi

Pothuajse është zyrtare. Shefi i ri i Formula 1 do të jetë Stefano Domenikali, 55-vjeçari që ka qenë përgjegjës sportiv i Ferrarit në periudhën 2008-2014 dhe tani president i Lamborghinit. Vendimi pritet të zyrtarizohet, pasi Domenikali e ka arritur tashmë akordin me “Liberty Media”, që prej tre vjetësh administron nëpërmjet “Formula One Group”, e kuotuar edhe në bursë, Formulën 1. Ai do të marrë vendin e Chase Carey, mandati i të cilit përfundon në fund të vitit.

Stefano Domenikali, kur ishte te Ferrari. Gazeta Si, 23 shtator 2020

Për Domenikalin është rikthim në një rol të rëndësishëm në automobilizmin sportiv, të cilin në fakt kurrë nuk e ka braktisur. Ai ka kontribuuar vitet e fundit për plotësimin e të gjitha rregulloreve të të gjitha kampionateve, që nga ai i Formula 1 e deri te Formula 4.

Drejtor sportiv dhe më pas krahu i djathtë i Zhan Todt në vitet e arta të Mikael Shumaker, Domenikali ka qenë në krye të Ferrarit gjatë presidencës së Luka di Montexemolo nga viti 2008, kur fitoi titullin e konstruktorëve, deri në sezonin zhgënjyes 2014. Me “regjinë” e tij u bë i mundur kalimi i Fernando Alonsos te skuaderia e famshme italiane.

Me Domenikalin në krye të “Liberty Media”, mbyllet edhe një koincidencë interesante: shumë ish-ferraristë në role drejtuese të Formula 1. Todt numri 1 i FIA-s, Ros Braun shefi sportiv i “Liberty” dhe tani pikërisht Domenikali.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë