Ekspozite

Statuja e një skulptori shqiptar në Portin e Qipros, Besim Çaushi rrëfen pse u sponsorizua nga një rus

Porti i Qipros që prej fillimit të muajit nëntor ka për simbol një statujë të realizuar nga një shqiptar, skulptori Besim Caushi.

Punimi në bronx i skulptorit shqiptar “Paqe në Tokë”, është një vepër që i thur lavde paqes.
Skulptori Besim Çaushi shprehet për Gazetasi.al se ideja e kësaj vepre erdhi nga një biznesmen rus.
“Kjo vepër është kërkuar dhe është sponsorizuar nga një biznesmen rus, jo thjesht biznesmen, një njeri shumë i ngritur nga pikëpamja intelektuale, i cili donte të bënte një dhuratë për qytetin Shën Napa në Qipro, me temë çështjen e paqes në botë, ndaj dhe vepra u titullua ‘Paqe në Tokë’”, shprehet skulptori Çaushi.
Skulptori thotë se paqja është detyrë e të gjithëve, ndaj dhe në këtë vepër ka shprehur një mendim të përgjithshëm mbi paqen.
“Në këtë vepër jam munduar të shpreh një mendim të përgjithshëm, jo thjesht të një paqeje të zakonshme, por të një paqeje familjare, e cila ka marrë përsipër me delikatesë planetin tokë dhe kjo gjë është e plotësuar dhe me të tjera motive, siç janë pëllumbat që janë simbol i paqes dhe një qen, i cili shoqëron familjen”, vijon më tej skulptori për Gazetasi.al.


Duke qenë se është porositur nga një rus, skulptori shprehet se vepra nuk vjen në stilin modern, por nën frymën ruse. “Vepra në përgjithësi është konceptuar dhe është modeluar si një vepër e cila ka një trajtim gati-gati natyralisto-dekorativ, nuk është një vepër komplet modern”, shprehet Çaushi, ndërsa shton se “në këtë vepër në njëfarë mënyre unë kam shprehur pikërisht atë paqe, që ekziston jo vetëm në tokë, apo në jetën tonë të përditshme, por dhe një motiv krejtësisht të natyrshëm dhe shumë të zakonshëm të një familje e cila mban atë dëshirën e brendshme për të pasur paqe brenda familjes brenda të së përditshmes tonë”.
Ndër të tjera, skulptori thotë se vepra simbolizon edhe faktin që çdo komb, çdo vend çdo kontinent në fund të fundit është një familje.
“Planeti ynë ka shumë probleme në sisteme të ndryshme. Ajo që e bashkon në gjithë këtë situatë është vetëm paqja në të cilën mundet të ketë një emërues të përbashkët. Kjo lloj paqeje ekziston brenda shpirtit tonë, por do kemi paqe edhe në familje, komunitet dhe krijimtari”, thotë Çaushi.
Duke qenë se vepra ka në fokus paqen, ajo është vendosur afrë detit për ta theksuar edhe më shumë misionin e saj.
“Është vendosur në anë të detit për të pasur një lidhje më emocionale me paqen dhe lirinë, me të mirat, me energjinë pozitive, me diellin, me ujin, me tokën. Vepra është e derdhur në bronz dhe është në një vend në sheshin kryesor të qytetit”.
Çaushi thotë se bëhet fjalë për një vepër shumë komunikuese me njerëzit, por sipas tij “është publiku ai që gjithmonë jep vlerësimin”.
Skulptori Besim Çaushi është aktiv me veprat e tij artistike edhe në Greqi ku jeton e punon.
Një nga veprat më të njohura në Greqi, e cila është vendosur në një park është “Rrëmbimi i Evropës”, një temë nga mitologjia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë