Futboll

Starton sot faza e dytë e Superiores, Partizani në kërkim të identitetit

Me sfidën Partizani-Teuta nis java e 10-të e kampionatit dhe njëkohësisht faza e dytë e Abissnet Superiores. Ndeshja luhet në “Elbasan Arena”, aty ku po luhet gjysma e Superiores për shkak të problemeve me stadiumet.

Të kuqtë kanë ende të freskët kujtimin e humbjes me durrsakët në javën e parë të kampionatit, të luajtur po në këtë stadium dhe të vendosur nga një gafë e portierit dhe kapitenit Alban Hoxha. Trajneri Ilir Daja foli me optimizëm në konferencë shtypi, duke shprehur besimin se loja e bind për një Partizan kompetitiv në vazhdim të garës.

Nga ndeshja mes Partizanit dhe Teutes fazen e pare. Gazeta Si, 26 nentor 2021

Deri tani Partizani ka lënë për të dëshiruar, sidomos në aspektin e pikëve. Të kuqtë kanë marrë vetëm 9 pikë në 9 ndeshje të fazës së parë dhe kanë vuajtur shumë në sulm (golaverazhi 8-8). Vendi i tetë në tabelën e klasifikimit flet qartë, Partizani ka kaluar një krizë rezultatesh që në fillim të sezonit dhe është në kërkim të identitetit të tij.

Ndryshimi pritet të nisë që sot, ndaj kampionëve në fuqi të Teutës, që gjithashtu kanë hasur vështirësi dhe ndodhen 7 pikë larg, kreut, por ndryshe nga Partizani, aktualisht mbajnë vendin e katërt.

Java e 10-të e Superiores vazhdon nesër me ndeshjet Skënderbeu-Tirana dhe Vllaznia-Laçi, për t’u mbyllur të dielën me Dinamo-Kastrioti dhe Kukësi-Egnatia. Kampionatin e kryeson Tirana me 20 pikë, e ndjekur nga Kukësi me 17 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë