Kriza me të cilën po kalojnë njerëzit në tokë për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri nuk e ka ndaluar Elon Musk që të vazhdojë të shohë nga qielli.
Kompania e tij, Space X lëshoi në hapësirën dërgesën e radhës me satelitë, që miliarderi amerikan thotë se janë pjesë e projektit gjigant “Lidhja e Yjeve” (Starlink), që do të përmirësojë ndjeshëm si mbulimin me internet të globit, ashtu edhe cilësinë e shpejtësinë e internetit.
Këtë radhë bëhej fjalë mirfilltazi për një tren ajror me 400 satelitë si vagonë, që u hodhën në orbitë duke shfrytëzuar anijen hapësinore “Falcon 9”, e cila u ngrit nga Cape Canaveral Air Force Station në Florida. Një pjesë e tyre u pa me sy të lirë edhe nga Tirana, si në videon e mëposhtme.
Kjo është dërgesa më e madhe e hedhur ndonjëherë në hapësirë si pjesë e këtij projekti, që Elon Musk synon që të zgjerohet me 12 mijë satelitë dhe mundësinë që ky numër të shkojë në 42 mijë të tillë.
Musk është i bindur se në përfundim të projektit nuk do të ketë cep të globit pa akses në internet, ndërkohë që kritikuesit e programit e qortojnë duke deklaruar se numri i lartë i satelitëve mund të ndikojë në destabilizimin e klimës në Tokë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.