Bota

Stamboll, dy persona të armatosur marrin peng punëtorët e një kompanie amerikane

Gazeta Si – Pengmarrja është bërë si një akt proteste ndaj sulmeve të Izraelit në Gaza. Në shenjëstër një impiant i grupit ‘Procter&Gamble’. Makinat e policisë kanë bllokuar hyrjen në fabrikë.

Dy persona të armatosur kanë marrë peng të paktën 7 punëtorë të një fabrike të grupit amerikan ‘Procter&Gamble’, në periferi të Stambollit. Një veprim ky si një shenjë proteste ndaj operacioneve ushtarake izraelite në Rripin e Gazës.

Imazhet e publikuara nga shtypi turk tregojnë makinat e policisë që bllokojnë hyrjen në fabrikë. Forcat e rendit janë munduar të negociojnë për lirimin e pengjeve.

Një burrë, Ismet Zihni, ka thënë për ‘Dha’ se gruaja e tij, Suheyla, është mes pengjeve. Ai ka pohuar se e kishte telefonuar madje. "Ajo u përgjigj në telefon, më tha 'jemi marrë peng, jemi mirë' dhe pastaj e mbylli telefonin", - shpjegoi Zihni.

E përditshmja turke ‘Sozcu’ ka publikuar disa foto dhe një video, ku shfaqen 7 pengjet, 4 burra dhe 3 gra. Fabrika ku ka ndodhur ngjarja ndodhet në periferi të Stambollit, në Gebze.

Sindikata e punëtorëve turq ka bërë me dije se personat që kanë marrë pengjet kanë punuar në atë fabrikë. Një zëdhënës i ‘Procter&Gamble’ ka pohuar për Afp që fabrika në Gebze, ku punojnë 500 persona, është evakuuar të enjten.

Nga fillimi i konfliktit, ndjeshmëria publike kundër Izraelit dhe SHBA-ve është rritur në Turqi, me protesta të shpeshta në mbështetje të popullit palestinez. Presidenti Erdogan ka folur për "krime lufte" izraelite dhe e ka krahasuar Netaniahun me Hitlerin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë