Futboll

Stadiumi i ri, Rama: Korça e para në këtë rrugë, shohim përtej fushës së blertë

Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në konkursin ndërkombëtar për projektin e stadiumit “Skënderbeu”, që pritet të jetë një qendër e re e qytetit të Korçës. Në këtë konkurs kanë prezantuar projektin e tyre 3 studiot finaliste të arkitekturës, ‘ARCHEA Associati’ (Itali), ‘BOFILL Architecture’ (Spanjë) dhe ‘CEBRA’ (Danimarkë).

Stadiumi i Korçës është një nga katër stadiumet që do të transformohen totalisht me projektet e reja. Përveç tij janë edhe stadiumet “Flamurtari” i Vlorës, “Niko Dovana” i Durrësit dhe “Selman Stërmasi” në kryeqytet.

Projektet për këto stadiume nuk përfshijnë vetëm zhvillimin e anës sportive, por edhe asaj sociale dhe ekonomike në këto qytete.

Para se tre studiot finaliste të prezantonin projektet e tyre, ka folur edhe kryeministri Rama, i cili theksoi se bëhet fjalë për një transformim që sheh përtej fushës së blertë dhe shkallëve të stadiumit.

“Jam i lumtur që marr pjesë në këtë finale konkursi për stadiumin e Korçës, janë 3 finale, pasi është edhe Vlora dhe Durrësi. Sinergjia me Federetën Shqiptare të Futbollit është baza për ndryshimin e Shqipërisë edhe në këtë fushë. Duam të organizojmë Europianin për të rinj në 2025-ën dhe deri atëherë duhet të jemi gati. Kemi plane për infrastrukturën mbështetëse, bashkë me federatën. Kemi një potencial të madh zhvillimi.

Ambicja është për të zhvilluar edhe turizmin nëpërmjet sportit. Korça është e para në këtë rrugë të re që kemi nisur, qëllimi është që ky qytet të jetë një vend, ku edhe skuadrat e huaja mund të zhvillojnë përgatitjet verore këtu. Pra, ne shohim përtej fushës së blertë, përtej shkallëve të stadiumit, shohim më shumë se aktiviteti i ditës së diel”, - tha kreu i qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë