Futboll

Stadiumi i ri i Durrësit, shpallet fitues projekti i studios belge

Gazeta Si – Pas Korçës, ishte sot radha e Durrësit për finalen e konkursit ndërkombëtar për projektin e stadiumit të ri ‘Niko Dovana’. Të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

Edhe për këtë projekt, ashtu si në atë të Korçës, në garë ishin 3 studio të huaja të arkitekturës bashkëkohore, konkretisht ‘51N4E’ (Belgjikë), ‘Bjarke Ingels Group’ (Danimarkë) dhe ‘MVRDV’ (Holandë). Projekti fitues u shpall ai studios belge '51N4E', që në qendër ka stadiumin, të rrethuar nga disa fusha stërvitore dhe disa godina të tjera.

E veçanta e projektit të studios fituese është se tribuna qendrore e stadiumit të Durrësit do të jetë e ngjashme me atë të stadiumit të famshëm në Argjentinë, 'Bombonera'.

Sipas kryeministrit Edi Rama, ambicia është krijimi i modeleve të reja, ku stadiumet e qyteteve shqiptare të bëhen njëkohësisht edhe motorë social-ekonomik zhvillimi, përveçse përmirësojnë ndjeshëm infrastrukturën sportive në vend.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, pjesë e jurisë për përzgjedhjen e projektin fitues, ka theksuar në fjalën e tij se Shqipëria së shpejti do të jetë vendi me infrastrukturën më të mirë sportive në rajon, falë bashkëpunimit me qeverinë.

“Jam shumë i kënaqur jo vetëm për faktin që do të lançojmë një projekt për futbollin, por edhe sepse jam në qytetin tim. Durrësi mbase e meritonte shumë më parë një investim të tillë, por asnjëherë nuk është vonë. Me iniciativën që është marrë nga kryeministri në këtë stacion të dytë, sepse i pari ishte Korça dhe i treti do të jetë Vlora, plotësojmë infrastrukturën sportive të futbollit të luajtur në Shqipëri.

Jam krenar për këtë gjë, me përfundimin e këtyre tre stadiumeve do të jemi vendi më i mirë në rajon sa i përket infrastrukturës sportive të futbollit. Të gjitha investimet e bëra janë fryt i bashkëpunimit të shkëlqyer dhe i bashkimit të forcave, financave, energjisë, vullnetit dhe dashurisë për futbollin, i FHSF-së dhe qeverisë shqiptare.

Së fundmi është nënshkruar një marrëveshje mes Bashkisë së Durrësit dhe ‘Manchester City Group’, që do t’i shërbejë futbollit durrsak dhe futbollit kombëtar. Uroj që projektet që ne do zgjedhim sot mos t’i cënojnë fushat që sapo kemi investuar”, - tha Duka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë