Futboll

Sponsorë të rinj për Dinamon, projekt bashkëpunimi me Sitin dhe Tare në mes!

Gazeta Si – Ndryshime të rëndësishme në horizont te Dinamo, skuadra e dytë më e titulluar në vend. Pranë klubit me president Adrian Bardhin pritet të afrohen edhe tre sponsorë të tjerë për një projekt ambicioz, që mund të përfshijë edhe emra si Igli Tare, i cili ndoqi nga afër miqësoren e Dinamos në Korçë, bashkë me italianin Luixhi Di Biaxho.

Te klubi kryeqytetas pritet të afrohen biznesmenë të njohur, siç janë kompanitë Mektrin Motors, apo Pelikan e ndonjë tjetër. Sponsor mund të jetë edhe kompania arabe që do të ndërtojë projektin e madh në qytetin e Durrësit, “Durrës Yachts & Marina”.

Igli Tare dhe Luixhi Di Biaxho duke ndjekur Dinamon ne stadiumin e Korçes. Gazeta Si, 24 korrik 2023

Dinamo pritet të ndërtojë një kompleks të ri në Durrës dhe më pas të nisë edhe bashkëpunimin me akademinë e Mançester Sitit. Kujtojmë që vetëm pak kohë më parë u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi me markën e njohur të futbollit botëror nga ministrja e Arsimit dhe Sporit, Evis Kushi.

Në gjithë këtë projekt, Igli Tare mund të japë kontributin e tij për ndërtimin e një klubi modern. Më parë u fol se ish-drejtori sportiv i Lacios do të ishte bashkëpunëtor te Partizani, por tani është më afër Dinamos. Dinamo mund të ndryshojë edhe logon dhe të quhet ‘Dinamo City’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë