Motosport

Spektakolare dhe moderne, zbulohen imazhet e pistës në Arabinë Saudite

Publikohen imazhet e para të pistës, ku do të zhvillohet Çmimi i Madh i Arabisë Saudite në Formula 1, i programuar në kalendar fundjavën e 5 dhjetorit 2021. “Saudi Motorsport Company”, promotore e kësaj gare, ka zbuluar pamje ekskluzive të strukturave avangardë të pistës “Jeddah Corniche Circuit”, që do të presin skuadrat, pilotët dhe VIP-at gjatë eventit.

Struktura e re “Pit&Team Building” shfaqet pranë vendit të nisjes së makinave, aty afër bregut të Detit të Kuq të Jedah: e projektuar nga arkitekti i famshëm Ulrich Merres, struktura avangardë ka 4 kate, është e gjatë 280 metra, do të presë të gjitha garazhet e skuadrave dhe ka suita për të ftuarit. Është e projektuar për t’u integruar në mënyrë harmonike me pistën dhe ambientin përreth. Me funksionalitetin e saj, është një nga strukturat unike dhe inovative në llojin e saj.

“Pit&Team Building” brenda cirkuitit të Jedah. Gazeta Si, 9 qershor 2021

Princi Khalid Bin Sultan Al Abdullah Al Faisal, president i “Saudi Automobile & Motorcycle Federation (SAMF)”, është shprehur: "Jemi krenarë të ndajmë këto imazhe ekskluzive të “Pit&Team Building” tonë të mrekullueshëm, që është simboli i gjithë asaj që gara përfaqëson, është moderne dhe spektakolare. Vetëm 6 muaj pas mbërritjes në Arabinë Saudite të F.1, përgatitjet kanë ecur me një ritëm të pabesueshëm dhe mezi presim që në dhjetor t’u japim mirëseardhjen në Jedah për një fundjavë garash dhe zbavitjeje të nivelit botëror".

Pista mund të garantojë një shpejtësi prej 250 km/h, duke u bërë cirkuiti më i shpejtë në qytet, ndërsa afër kthesës 27 shpejtësia mund të arrijë deri në 322 km/h. Me 27 kthesa dhe 6175 metra, “Jeddah Corniche Circuit” do të bëhet cirkuiti i dytë më i gjatë, pas Spa në Belgjikë dhe cirkuiti më i gjatë në rrugët e qytetit. Gara do të zhvillohet natën, ndërsa biletat do të dalin në shitje së shpejti.

Strukturat avangardë të cirkuitit. Gazeta Si, 9 qershor 2021

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë