Kombetarja

Spektakël para ndeshjes me Francën, masat dhe si mund të hysh në stadium

Nesër në mbrëmje do të inaugurohet stadiumi i ri kombëtar ku do të luhet ndeshja e futbollit mes Shqipërisë dhe Francës, për eliminatoret e “Euro 2020”. Para fillimit të ndeshjes do të ketë një ceremoni 15 minutshe. Producent është Ardit Gjebrea dhe në fushën e blertë do të përformojnë edhe këngëtarët më në zë të muzikës shqiptare. Para tifozëve fillimisht do të dalë Era Istrefi me këngën zyrtare të FIFA World Cup 2018, “Live it up”.

Era Istrefi

Më pas Flori Mumajesi do të këndojë këngën “Kuq e zi je ti”. Kënga e tretë do të jetë “Xhamadani vija vija” dhe do të interpretohet nga Aurela Gace, ndërsa himni kombëtar i Shqipërisë do të interpretohet nga Juliana Pasha.

Aurela Gaçe

Pjesë e këtij evenimenti gjithashtu do të jetë edhe kënga “La Marseillaise”, himni i Francës, që do të përformohet nga këngëtarja Besa Kokëdhima, e cila prej kohësh ka jetuar në Francë. Ceremonia mendohet të zgjasë rreth 15 minuta dhe do të fillojë në orën 20:30, ndërsa ndeshja nis në 20.45.

Juliana Pasha dhe Besa Kokdhima

Flori Mumajesi


Masat e policisë për ndeshjen Shqipëri-Francë

Ndërkohë edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë se Shtetit dhe Drejtoria Vendore e Policisë në Tiranë, kanë deklaruar se do të marrin një sërë masa për të siguruar qetësinë publike. Në kuadër të këtyre masave, policia ka bërë me dije se për të gjithë tifozerinë, si vendase dhe atë të ekipit të Francës do të merren disa masa ndaluese, mbi qarkullimin dhe parkimin e automjeteve në afërsi të stadiumit. Për lëvizjen e automjeteve në zonën në afërsi të stadiumit “Arena Kombëtare”, do të jenë të lira vetëm akset rrugore “Rruga e Elbasanit” dhe Unaza, në të dy drejtimet e lëvizjes së saj, më pas në të gjitha rrugët e tjera hyrëse në këtë zonë nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve. Ndërkohë, të gjitha automjetet që janë parkuar brenda zonës së mësipërme do të duhet të largohen që nga ora 12:00, ndërsa tifozët do të futen në stadium në orën 18:30.
Për sa i përket automjeteve të autorizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit, ato duhet të jenë të pajisura me shenjën dalluese në xhamin e përparmë dhe do të hyjnë vetëm nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, tek Ura e Lanës, Libri Universitar dhe Presidenca, me drejtim sheshin “Nënë Tereza”. Gjithashtu, do të ketë një kontroll anieksploziv për çdo automjet.
Policia e Shtetit ka deklaruar se, kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve dhe që të shmangin zonën ku zhvillohet aktiviteti sportiv, duke përdorur akse dhe drejtime të tjera lëvizjeje, pasi do të vlerësohej si një ndihmë mjaft e çmuar në mbarëvajtjen dhe garantimin e masave të sigurisë.

Parkimit i automjeteve:
-Automjetet që vijnë nga Elbasani: autobuzat do të parkohen në sheshin e lokal “Calvin”, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë Fakultetit Ekonomik.
-Automjetet që vijnë nga Rruga e Durrësit: autobuzat do të parkohen tek ish-dogana, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, si dhe te parkingu nëntokësor në sheshin “Skënderbej”.
-Automjetet që vijnë nga “Rruga e Kavajës”: autobuzat do të parkohen në Kombinat – Qyteti i Nxënësve, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë stadiumit “Selman Stërmasi”.

Pikat e kontrollit të tifozerive:
-Pika e kontrollit midis Rektoratit dhe Mak Albania Hotel: do të hyjnë vetëm tifozët francezë me biletën në sektorin“S” (Jug), si dhe automjetet e autorizuara nga FSHF-ja.
-Pika e kontrollit tek kolonat midis Rektoratit dhe Muzeut Arkeologjik: do të hyjnë vetëm tifozët VIP me biletën në sektorin“Ë” (Perëndim).
-Pika e kontrollit midis Pallatit të Kongreseve dhe Hotel Rogner: do të hyjnë vetëm tifozët me biletën në sektorin“N” (Veri).
-Pika e Kontrollit tek COIN: do të hyjnë vetëm tifozët me biletën në sektorin“N” (Veri).
-Pika e Kontrollit tek “Piceri Fiore” në rrugën “Dervish Hima”: do të hyjnë vetëm tifozët me biletën në sektorin“E” (Lindje).

Ndër të tjera policia ka bërë me dije që qytetarët të respektojnë këto masa.

"Kërkojmë mirëkuptimin e sportdashësve që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, në respektimin dhe zbatimin e këtyre masave, si dhe pajisjen me biletë dhe dokument identifikimi, duke shmangur njëkohësisht mbajtjen me vete dhe futjen në ambientet e stadiumit të sendeve të forta, borive, shisheve të çfarëdolloji, fishekzjarreve, monedhave apo sendeve metalike, pasi do të kontrollohen fizikisht të gjithë. Edhe automjetet e autorizuara nga FSHF-ja për parkim në parkimin nëntokësor përreth stadiumit do të kontrollohen në hyrje tek pika e kontrollit tek Rektorati", thotë Policia.

Po ashtu policia kujton se kanë hyrë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal, në bazë të të cilit klasifikohen vepra penale veprimet e parashikuara në nenin 274/a “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportive” dhe dënohen deri në tre vjet burgim, si dhe konsiderohen vepra penale “Veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive”, të parashikuara në nenin 274/b, si hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë