Kombetarja

Reja ka një strategji: Dimë t’i përballojmë kampionët e botës

Kualifikueset e Euro 2020 Kombëtarja i mbyll në impiantin e ri “Air Albania Stadium”, që inaugurohet nesër. Ka një motiv më shumë për rezultat pozitiv ndaj Francës kampione bote. Edhe barazimi nuk do të ishte keq për kuqezinjtë, të cilët vijnë pas atij barazimi zhgënjyes me Andorrën në “Elbasan Arena”. Trajneri Edi Reja ka folur me besim përpara kësaj sfide. Italiani i stolit kuqezi ka theksuar mes të tjerash se skuadra që drejton është në gjendje të përballojë edhe kampionët e botës.

“Nuk mendoj se taktika është më e rëndësishmja në ndeshjen me Francën, janë protagonistët ata që vendosin fatin e saj. Shqipëria ka mënyrën e saj të të luajturit dhe më atë mënyrë kemi shanset tona në çdo ndeshje dhe ndaj çdo kundërshtari, edhe ndaj Francës. E kemi të qartë se ku mund të na vërë më shumë në vështirësi Franca, por dimë edhe ku mund ta rrezikojmë ne. E rëndësishme është që të jemi të gatshëm për të shfrytëzuar çdo rast që mund të na krijohet. Dua ta komplimentoj trajnerin Didier Deshamp, i cili është shpallur kampion bote me Francën. Kam punuar në Itali dhe çdo javë duhet impenjim ndryshe. Në një ekip kombëtar është ndryshe, sepse të lejon koha të zgjedhësh dhe të rikuperosh.

Kuqezinjtë në stërvitje. Gazeta Si, 16 nëntor 2019

Kuptohet që në një ekip kombëtar ka më shumë përgjegjësi për trajnerin. Edhe Deshamp më tha se te Franca nuk ka stres si te Juventusi, ku ka kërkesa më të larta për rezultatin. Më vjen keq, që nuk erdha më herët te Shqipëria, do të kisha pasur mundësi të njihja më mirë ekipin dhe të ishim më të përgatitur gjatë eliminatoreve. Mund të kishim marrë rezultate më të mira. Gjithsesi, premtoj se në të ardhmen Shqipëria do të arrijë rezultate më të mira”, tha ai.

Për ndeshjen me Francën kemi mungesa, siç janë Cikalleshi, Abrashi dhe Xhaka, por kemi lojtarë të të njëjtit nivel, të cilët mund t’i zëvendësojnë. “Ata që do të zbresin në fushë, janë të përgatitur për ta përballuar ndeshjen me dinjitet. Franca është kampion bote, megjithatë nuk është e pathyeshme. Kemi një strategji për këtë ndeshje dhe shpresoj ta zbatojmë si duhet në fushë. Sigurisht, do të hyjmë në fushë për të marrë maksimumin. Me Andorrën gabuam në planin psikologjik. Shpërdoruam raste shënimi dhe pësuam gola krejtësisht të evitueshëm. Kemi marrë leksione nga ajo ndeshje. Franca na lejon të dalim në lojën tonë dhe për këtë besoj se mund të marrim rezultat”, – theksoi në konferencën për shtyp trajneri i kuqezinjve, Edi Reja.

Shqipëria mban vendin e katërt në Grupin H para ndeshjes së fundit eliminatore të Euro 2020. Kuqezinjtë kanë 13 pikë dhe nëse mundin kampionët e botës, të cilët janë kualifikuar, do të shkonin në 16 pikë, aq sa ka edhe Islanda, që luan në Moldavi. Në konferencë shtypi doli edhe kapiteni Elseid Hysaj, i cili gjithashtu foli me optimizëm për sfidën e nesërme me Francën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë