Futboll

Spektakël në “Air Albania Stadium”, Tirana thyen tabunë 5-vjeçare të derbit

Pas më shumë se 5 vitesh, derbi i kryeqytetit i takon Tiranës. Mes emocionesh të mëdha kanë fituar bardheblutë 1-2, në derbin e parë të zhvilluar në stadiumin e ri “Air Albania Stadium”, ku të pranishëm ishin një numër rekord tifozësh, rreth 19 mijë. Kanë festuar në fund ata që ishin më të paktë, tifozët e Tiranës, pasi skuadra e tyre ishte udhëtuese. Një fitore që mund të hapë një cikël të ri te bardheblutë.

Me trajnerin e emergjencës, Emanuel Egbo, Tirana jo vetëm ka thyer tabunë 5-vjeçare pa fitore në derbi, por është afruar tashmë në 3 pikë nga vendi i parë, që mbahet ende nga Partizani me 25 pikë. Ndoshta me këtë fitore edhe atmosfera e trazuar në shtëpinë bardheblu mund të qetësohet dhe drejtuesit mund të vazhdojnë t’ia besojnë stolin trajnerit Egbo. Presioni kalon tashmë në kampin e kuq, ku trajneri Lerda, edhe pse e ka ekipin në vend të parë, pas dy humbjeve radhazi mund të rrezikojë. Sigurisht, humbja e sotme në derbi peshon shumë, aq më tepër që zgjedhjet e tij teknike kanë ngritur shumë diskutime.

Festa e Tiranës në dhomat e zhveshjes, pas fitores në derbi. Gazeta Si, 13 dhjetor 2019

Ndeshja nisi në një atmosferë shumë të zjarrtë dhe nderimi i viktimave të tërmetit të 26 nëntorit ia la vendin spektaklit në fushë. Tirana kaloi e para në avantazh me Idriz Bathën, i cili pati fatin të shënonte golin e parë të Superiores në “Air Albania Stadium”. Vetëm pas 3 minutash Partizani barazoi me Jurgen Bardhin, por për golin e të kuqve ka dyshime për pozicionin e Solomonit, që merr pjesë në aksion. Rastet kanë qenë të shumta dhe kur dukej se gjithçka do të mbyllej në paqe, ka ardhur goli i Kobina pas një kundërsulmi të shpejtë të Tiranës.

Zhgënjim i madh për tifozërinë e kuqe dhe festë për atë bardheblu. Pozitiv është fakti se këtë herë, edhe pse tifozëria ishte më e madhe në numër, nuk pati probleme me sigurinë. Gjysma e të ardhurave nga biletat e shitura për derbin do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë