Udhëheqësi i Partisë Socialiste, Pedro Sanchez, pritet të betohet këtë të shtunë si kryeministër përpara Mbretit Felipe të Spanjës.
Betimi pason përpjekjen e suksesshme të tij, përmes mocionit të mosbesimit, për të rrëzuar ish-kryeministrin konservator Mariano Rajoy gjatë së premtes, pas afro 7 vitesh në pushtet.
Votimi erdhi pas një skandali korrupsioni që përfshinte disa prej figurave të Partisë Popullore të Rajoyt, edhe pse ky vet mohon të ketë kryer ndonjë shkelje.
Në Parlamentin spanjoll, rrëzimi i Rajoyt u pasua nga skena festimi, por tashmë e ardhmja politike në Spanjë duket e paqartë.
Partia Socialiste zotëron vetëm 84 mandate në Kongresin e deputetëve, kështu që Sanchez do të duhet të mbështetet në mbështetjen e aleatëve të tjerë, si partia e krahut të majtë, “Podemos”, në mënyrë që të mund të miratojë ligje.
Mbreti është informuar mbi emërimin e kryeministrit të ri, ndërsa Sanchez pritet të shpallë përbërjen e kabinetit qeveritar gjatë javës së ardhshme. Por, pyetja që lind dhe që do të mbetet edhe pas katapultimit të socialistit në pushtet është se, sa do të mund të zgjasë një qeveri e majtë në një Parlament të përçarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.