Gazeta Si – Në Spanjë, një zjarr shpërtheu në katin e pestë të një pallati 14-katësh të sapondërtuar në Valencia, në lagjen Campanar.
Autoritetet njoftuan zbulimin e katër të vdekurve në ndërtesën e përbërë nga dy kulla. Njëzet persona u raportuan të zhdukur. Sipas mediave lokale, dronët kanë identifikuar trupa të tjerë të djegur.
Megjithatë, të paktën 14 persona u plagosën, disa me simptoma të asfiksimit. Flakët, për shkak të erërave të forta, u përhapën me shpejtësi në të gjithë ndërtesën.
Nuestro apoyo y reconocimiento a todo el operativo que se encuentra trabajando en este siniestro en Valencia @bomberosvlc @BombersValencia @BomberosDipuALC @speis_alicante @GVA112 pic.twitter.com/B4IXGpO4yc
— Bomberos Sevilla (@BOMBEROSSEVILLA) February 22, 2024
Ne pallat ka 138 apartamente. Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Emergjencave, Jorge Suarez, raportoi se po punohet për kërkimin e njëzet personave të zhdukur, mes të cilëve, sipas raportimeve të mediave lokale, është edhe një gjyshe me mbesën e saj.
Sipas gazetës online Levante, zjarrfikësit nuk presin të gjejnë të mbijetuar. Në mesin e njerëzve që ia dolën të shpëtonin veten, ishte një baba me vajzën e tij.
Të dy mbetën të bllokuar në ballkonin e tyre. “Ka britma dhe njerëz të dëshpëruar në kërkim të të afërmve apo miqve” që ndodheshin brenda ndërtesës, u thanë shpëtuesve disa dëshmitarë.
Në zonë është ngritur një spital fushor, ndërsa është evakuuar një qendër tregtare në katin e parë të godinës.
Sipas burimeve të pakonfirmuara të cituara nga gazeta lokale Levante, dyshohet se ka disa trupa të djegur midis mbetjeve të kullës 1 të kompleksit rezidencial, të lokalizuar nga dronët.
Për shkak të temperaturës së lartë dhe rrezikut për shembje të strukturës, ekipet e zjarrfikësve nuk kanë ende akses në godinë, ndërsa lufta kundër flakëve vijon nga jashtë. Mes të plagosurve janë edhe 6 zjarrfikës.
Në total në spitalet e qytetit janë trajtuar 9 burra, 4 gra dhe një fëmijë 7 vjeç, ndërsa dy gra të tjera në vendngjarje.
Ndoshta materiali izolues i pranishëm në fasadë, veçanërisht një shtresë poliuretani lehtësisht i ndezshëm, ka shkaktuar zjarrin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.