Drejtësia

SPAK ‘zbarkon’ në SHBA / Dumani, Kraja e Millonai takime në DASH, DEA dhe FBI

Gazeta Si - Drejtuesit më të lartë të SPAK-ut, të kryesuar nga kryeprokurori i Posaçëm, Altin Dumani, po marrin pjesë në një vizitë studimore në Uashington, DC këtë javë.

Lajmi bëhet me dije nga ambasada e Shteteve të Bashkuara ntë Amerikës në vendin tonë, e cila publikon dhe pamje nga takimet e zhvilluara.

Në fotot e publikuara, mes të tjerëve shfaqen kreu i SPAK-ut Altin Dumani dhe ish-drejtuesi i kësaj prokurorie, Arben Kraja, i cili ka marrë në dorë hetimin e aferës së privatizimit të klubit sportiv “Partizani”, ku nën hetim është edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Mes prokurorëve që ndodhen në SHBA, është edhe Enkelejda Millonai, e cila po heton edhe ajo çështjen ndaj Berishës dhe kërkoi detyrim paraqitje dhe ndalim për daljen jashtë vendit të ish-kryeministrit.

“Të udhëhequr nga anëtarët e ekipit të Zyrës për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë Jashtë Vendit të Ambasadës së SHBA në Tiranë (OPDAT), zyrtarët e SPAK-ut u takuan me drejtuesit kryesorë të Departamentit të Drejtësisë nga OPDAT dhe Programit Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnimin për Hetimet Penale (ICITAP)”, - thuhet në një njoftim të ambasadës amerikane në Tiranë.

Sipas saj, Prokurorët e SPAK diskutuan gjithashtu sfidat e sigurisë me Shërbimin Marshall të Shteteve të Bashkuara, i cili mbron gjyqtarët, prokurorët, stafin e gjykatës dhe dëshmitarët federalë të Amerikës.

Ambasada thekson vizita do të përfshijë gjithashtu takime me Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Departamentin e Drejtësisë, Administratën kundër Narkotikëve (DEA) dhe Byronë Federale të Hetimit (FBI).


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë