Drejtësia

SPAK ‘përplaset’ me KQZ-në për dënimin e kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari

Gazeta Si – Përmes një shkrese, SPAK i ka konfirmuar KQZ-së dënimin e kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari për të vendosur nëse do t’i ndërpritet ose jo mandati sipas ligjit.

Shkresa me firmën e Klodian Brahos, kreut të SPAK, i drejtohet Komisionerit Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, ku i bën të ditur se vendimi ndaj Hajdarit ka marrë formë të prerë, madje është nxjerrë edhe urdhri për ekzekutimin e dënimit.

Në dokumentin zyrtar, Prokuroria e Posaçme sqaron se procedimi penal ndaj Kreshnik Hajdarit është regjistruar me numrin 80, më datë 3 maj 2023, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”.

Sipas SPAK, pas përfundimit të hetimeve paraprake, çështja është dërguar për gjykim më 18 dhjetor 2023. Më pas, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.06 të datës 25 janar 2024, e ka deklaruar fajtor Hajdarin.

Prokuroria i kërkon KQZ-së të marrë në shqyrtim informacionin e përcjellë, ndërsa çështja pritet të vijojë me zhvillime të mëtejshme dhe do të jetë pikërisht kjo e fundit që do vendosë për mandatin si kryebashkiak të Hajdarit, nëse do ndërpritet apo jo, kur jemi një vit para zgjedhjeve lokale të ardhshme.

Më herët, ka qenë ish-deputeti opozitar dhe kandidati për Bashkinë e Kuçovës në zgjedhjet e vitit 2023, Lefter Maliqi, ai që e ka denoncuar Hajdarin disa herë, përfshi edhe çështjen e dënimit në Greqi, duke kërkuar ndërprerjen e mandatit të tij si kryebashkiak.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë