Politike

SPAK nuk pranon dosjen e përgjimeve në Dibër, PD: Kraja, varrosi hetimin

Prokuroria e Posaçme, SPAK nuk ka pranuar që të marrë në dorëzim dosjen e famshme të përgjimeve për zgjedhjet e Dibrës. Mësohet se SPAK e ka kthyer sërish në Gjykatën e Dibrës dosjen për ta hetuar, duke krijuar kështu një përplasje dhe lojë pingpongu për dosjen 184 në të cilën figurojnë përgjimet e prokurorisë që nga kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deputetët të PS-së dhe drejtues lokalë të zonës, si shefa policie dhe drejtorë të Drejtorisë Arsimore.
Më 22 janar të këtij viti Prokuroria e Dibrës shpalli moskompetencë për dosjen kurse sot SPAK bën të njëjtën gjë gjithashtu. Por më datë 27 të po këtij muaji, SPAK vendosi të shpallë moskompetencë, duke ia kthyer dosjen përsëri Gjykatës në Dibër. Në korrik të vitit 2019 Krimet e Rënda shpallën mo skompetencë pas 2 vitesh nga dosja. Enkeleda Cami Keshi refuzoi të mbajë dosjen në Prokurorinë e Dibrës për shkak të lidhjeve me Arben Keshin. Pas një debati mes dy prokurorive, ish- prokurorja e përgjithshme Arta Marku e dërgoi përfundimisht Prokurorisë së Dibrës. PD e akuzoi Arta Markun se po varroste dosjen 184 dhe sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi kërkoi informacion zyrtar në Prokurorinë e Dibrës për dosjen 184 dhe transferimin e e saj tek SPAK. Vendimi i SPAK solli sërish reagimin e PD-së. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi shprehet se “drejtuesi Arben Kraja ka detyrim të japë sot sqarime publike pse i mohoi SPAK-ut mundësinë e hetimit të Edi Ramës dhe shpurës së tij për vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër”.

Sekretari i Pergjithshem i PD, Gazment Bardhi. Gazeta Si, janar 2020


“Hetimi i dosjeve ku janë përfshirë zyrtarë të lartë, siç është kryeministri dhe disa deputetë të PS është detyrë ekskluzive e SPAK-ut. Prokuroria e Posaçme u ngrit për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, por akti i sotëm i shërbëtorit të Edi Ramës në krye të SPAK-ut godet çdo pritshmëri se Arben Kraja mund të sillej ndryshe nga Donika Prela, për sa kohë padroni i tyre është në krye të qeverisë. Duke ridërguar dosjen 184 në Dibër, drejtuesi i SPAK, praktikisht, ka varrosur hetimin e një krimi të dokumentuar zgjedhor, i cili është kusht i Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian” shprehet Bardhi.
Dosja 184 dhe përgjimet e Bild
Dosja 184 janë hetimet e Prokurorisë lidhur me pretendimet për krime zgjedhore të kryera nga mazhoranca gjatë zgjedhjeve lokale në 2016 Dibër, kur fitues doli Muharrem Rama i PS përballë Sherefedin Shehut të PD. Tre vite pas regjistrimit të kësaj dosjeje, në 2019 media gjermane Bild publikoi përgjimet gjatë fushatës dhe gjatë zgjedhjeve lokale në Dibër të 2016.
U publikuan biseda të kryeministrit Rama, ish- ministrave Damian Gjiknuri dhe Saimir Tahiri, Ulsi Manjës apo Pjerin Ndreut me përfaqësues të PS në Dibër Arben Keshin, Ymer Lalën, biznesmenin Bekim Krashi, drejtorin e Arsimit në Dibër, Drini Gjeçi, mësuesin Lavdrim Murati, drejtorin e shkollës së Reçit, Reshat Elezin, shefin e komisariatit nr. 5 në Kamëz, Sali Skura, dhe ish- deputetin e PS Artan Gaçin. Ndërsa për këto përgjime të nxjerra nga ana e Bild, Rama ka bërë ditur se ka bërë një padi në Gjermani ka gazetari që ka nxjerrë sekretin hetimor, e ku sipas tij këto publikime kishin qëllimin acarimin e situatës politike në vend, në prag të protestave të opozitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë