Politike

SPAK merr çështjen Meta-Dvorani

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK do të shqyrtojë padinë e presidentit Ilir Meta ndaj kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Adrian Dvorani. Sipas burimeve mësohet se SPAK e mori këtë vendim pasi Prokuroria e Tiranës shpalli mos kompetencën për çështjen. Pritet që të hidhet shorti për caktimin e prokurorit të çështjes që do të marrë në shqyrtim padine e kreut të shtetit ndaj Dvoranit.

Ndërsa nuk përjashtohet që sërish si presidenti dhe kreu i KED-së të merren sërish në pyetje për këtë padi. Përplasja mes Metës dhe kreut të KED, Ardian Dvorani ka nisur për shkak të emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, të dy kandidateve për një pozicion, Arta Vorpsi dhe Marsida Xhaferllari. Kreu i KED, që sipas Metës ishte në shkelje të Kushtetutës, emëroi Arta Vorpsin në Gjykatën Kushtetuese, duke përvetësuar kompetencën e presidentit. Vetë Gjykata Kushtetuese nuk e njohu Vorpsin si anëtare, edhe pasi kjo e fundit u betua pranë një notereje Nga ana tjetër Xhaferllari, e dekretuar nga Meta, nisi menjëherë nga puna pas betimit të saj në presidencë, duke e çuar kështu në katër numrin e anëtarëve, si pasojë e shkarkimit të Besnik Muçit, pasi u “dogj” nga Vetingu. Anëtaret e Gjykatës Kushtetuese janë: Vitore Tusha, Fjona Papajorgji, Elsa Toska dhe Marsida Xhaferllari.
Presidenti Ilir Meta e akuzoi Dvoranin për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe“Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”, parashikuar nga neni 246 i Kodit Penal.
Ndërkaq beteja për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është zhvendosur në Komisionin e Venecias, ku Parlamenti i është drejtuar zyrtarisht për të marrë ekspertizën juridike të huaj nëse është vepruar sipas ligjit dhe Kushtetutës me përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë