Drejtësia

SPAK kërkon kthimin në qeli, Apeli lë në fuqi ‘arrestin shtëpiak’ për Vangjush Dakon

Gazeta Si- Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi të pandryshuar masën e “arrestit shtëpiak” për Vangjush Dakon, ish-kryebashkuakun e Durrësit i akuzuar për shpërdorim detyre.

SPAK kërkoi rikthimin në qeli të Dakos, ndërsa gjykata e liroi pasi përfunduan afatet e paraburgimit. Ai u arrestua qershorin e kaluar nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Dako u lirua nga qelia në fund të shkurtit me argumentin se kanë përfunduar afatet e paraburgimit për të.

Dako akuzohet për “Shpërdorim detyre” në procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati dhe shpërdorim të fondeve publike në procedurën e prokurimit për ndërtimin e një shëtitoreje në bregdet.

Në përfundim të hetimeve të SPAK rezultoi se Dako kishte kryer veprime në kundërshtim me kompetencat e kryetarit të bashkisë në miratimin e lejes së ndërtimit në favor të shoqërisë “Fakle sh.p.k, pasi Dako dhe zyrtarët e bashkisë i përpiluan dokumentet dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët banonin në pallatin në fjalë.

Vangjush Dako u arrestua më 6 qershor të vitit të kaluar, teksa akuzohet për shpërdorim detyre në dy raste.

Kallëzimi i parë është bërë nga banorët e një pallati në lagjen numër 5, godinë e cila u bë e pabanueshme pas tërmetit të vitit 2019. Sipas banorëve, leja e ndërtimit ishte dhënë në kundërshtim me ligjin, pasi pallati përfundoi me 4 kate shtesë.

Kallëzimi i dytë është bërë nga ish-kreu i PD-së Durrës, Ferdinand Xhaferraj, sipas të cilit, Dako shpërdoroi fondet publike për një rrugë që u tenderua, por nuk u realizua.

Padia e Xhaferrajt mbështetet edhe nga dy raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku për projektin e rrugës së Plazhit nga Bërryli deri në Currila, i është shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit në shumën 18 milionë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë