Ngjarje

Aksion policor pas ‘pendimit’ të Dumanit, por asnjë nga bosët e krimit nuk gjendet!

Gazeta Si - Në operacionin “Golden Bullet”, ku u arrestuan 18 persona dhe u sekuestruan dhjetëra armë zjarri, vijojnë të jenë në arrati bosët e krimit të organizuar.

Edhe pse SPAK dhe Policia e Shtetit tha se operacioni vijon, emra si Ervis Martinaj, Talo Çela, Suel Çela etj, janë shpallur në kërkim.

Pas dëshmisë së Nuredin Dumanit dhe bashkëpunëtorit të tij, Henrik Hoxhaj, policia nisi aksionin për të goditur 8 grupe të rrezikshme kriminale.

Ngjarjet me të rënda kriminale të një dekade nga viti 2011 deri në vitin 2022, nga 18 dosje janë bashkuar në të vetme.

Në rrjetë kanë rënë disa bashkëpunëtorë të tyre, ndërsa ”kokat” e grupeve kriminale nuk janë gjetur në banesa.

Në krye të aksionit të SPAK për t’u arrestuar, është i shumëkërkuari Talo Çelo, i cili u lokalizua me anë të përgjimeve në një nga vendqëndrimet e tij, por nuk është arritur që të arrestohet ende.

Si pjesë e 32-urdhër arresteve të SPAK, mësohet se në kërkim janë edhe Ervis Martinaj, Suel Çela, Kamer Mehja, Fatos Gogo. Sokol Sanxhaktarit dhe Henrik Hoxhaj u janë komunikuar masat e arrestit në qeli.

Ervis Martinaj

Ndërkohë, gjatë kontrolleve në hotelin e Ervis Martinajt janë gjetur gjithashtu maska dhe sende të tjera të dyshuara që përdoreshin në ngjarje kriminale.

Martinaj është një prej emrave më të komentuar të botës së krimit, i përfshirë në vrasjen e Enton Nikës në zonën e Linzës disa vite më parë.

Në 4 tetor të vitit 2018, ai u plagos në një lokal në ish-bllok ku u vra miku i tij Fabjol Gaxha.

Martinaj, njihet si biznesmen në fushën e lojërave të fatit. Ky shtetas është përmendur në shumë ngjarje të rënda por kurrë nuk i është provuar gjë

Suel Çela

Suel Çela është akuzuar si njëri nga protagonistët e 18 shtatorit 2017 në qytetin e Elbasanit.

I akuzuar si fillim për vrasje të oficerëve të policisë të ngelur në tentativë, Suel Çela u konsiderua i pafajshëm edhe për veprën e kundërshtimit të forcave të policisë. Gjykata tha gjatë vendimit se prokuroria e krimeve të rënda nuk arriti të vërtetojë me prova përfshirjen e Suel Çelës në ngjarjen e tregut agroushqimor.

Kamber Mehja

Kamber Mehja është një tjetër prej emrave më të kërkuar nga drejtësia. Kamer Mehja rezulton i dënuar për “Trafikim të armëve dhe municioneve” si dhe për “Plagosje të lehtë me dashje” të një kamarieri në Elbasan dhe “Mbajtje pa lejë të armëve të zjarit”. Bashkë me djalin e tij, janë mes 66 personave që po hetohen nga prokuroria për pasurinë e tyre.

Ai gjithashtu akuzohet për organizatë kriminale, prostitucion dhe trafik droge. Ndër të tjerë është pjesë e listës së 15 familjeve më të fuqishme në qytetin e Elbasanit.

Avokati i bandave kriminale

Një tjetër emër i shpallur në kërkim është edhe avokati Alban Bengasi, Burime bëjnë me dije se grupet kriminale në bashkëpunim edhe me avokatin, i cili ishte pjesë e një prej grupeve, kanë manipuluar provat për dy vrasje, duke i vendosur provat e krimeve tek personat që nuk kishte asnjë lidhje.

Po ashtu mësohet se ai ka kërkuar djegien e makinës së ish-gruas së tij, pas një konflikti që ka pasur me të.

Po ashtu, urdhër arresti është dhënë edhe për Florenc Çapjan, i cili ndodhet në Dubai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë