Drejtësia

SPAK do të hetojë Berishën? Kraja: Sapo të kemi material nisim hetimet për korrupsion

Prokuroria e Posaçme do të nisë menjëherë hetimet ndaj Sali Berishës në rast se nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i vihet në dispozicion ndonjë material, apo e dhënë tjetër për përfshirje në korrupsion.

Deklarata është bërë nga kreu i kësaj prokurorie, Arben Kraja, që raportoi këtë të hënë në Kuvend për punën e SPAK përgjatë 2020. Ai tha se lista e personave “non grata” nga SHBA është një vendim i autoriteteve amerikane.

“Ajo që unë garantoj çfarëdo indicie apo material që do vijë, që do jetë në dispozicion, padiskutim jemi të vendosur për të çuar deri në fund ndjekjen penale, qoftë edhe në bllokimin e pasurisë për çfarëdo që të vijë”, u shpreh kreu i SPAK.

Deklarata e tij u bë pas një pyetjeje të deputetit Ralf Gjoni, që vuri në dukje se Shqipëria është ndër të paktat vende ku SHBA ka shpallur non grata apersona që as janë hetuar dhe as janë dënuar në vend për korrupsion.

“Shqipëria është nga të paktat vende që nuk kanë pasur një hetim para se të shpalleshin ‘non grata’, veç Adriatik Llallës, emrat e tjerë janë të paproceduar. Është domethënës që aleati ynë strategjik merr një vendim për të shpallur ‘non grata’ persona për të cilat nuk ka një hetim. A do të hapen hetime për këto persona?”, pyeti Gjoni.

Olsian Çela kërkon prokurorë: Në nivel lokal çalon bashkëpunimi në luftën kundër korrupsionit

Kryeprokurori Olsian Çela ngriti para parlamentit shqetësimin e mungesës së prokurorëve në të gjithë vendin, që ai e cilësoi si emergjencë.

“Ka nevojë për një rritje urgjente të numrit të prokurorëve”, deklaroi Çela para deputetëve, ku tha se në total përgjatë 2020 janë regjistruar mbi 58 mijë procedime penale, ku pjesa më e madhe e tyre lidhen me veprën penale të vjedhjes.

Sa i takon luftës kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, kryeprokurori Çela kërkoi më shumë bashkëpunim me institucionet e tjera shtetërore.

“Kam vënë re se në nivel lokal çalon bashkëpunimi. Disa drejtori rajonale, si ajo e Tatimeve shihet se ka mungesë informacioni, që hetimi të pasohet me goditjen e aseteve. Në prioritetet tona është monitorimi dhe zbatimi në këtë fushë”, tha ai.

“Synuam të konvergojmë ndërveprimin institucional, prioritetet tona, duke pasur në fokus jo thjesht pastrimin e veprës penale, por edhe krimet financiare, si evazioni fiskal, etj. Për këtë u krijuan 7 seksione në prokuroritë më të mëdha të vendit, që e kanë fokusin në këtë grup veprash penale. Përtej kësaj, ne kemi parashikuar organizimin në dy nivele, atë qendror: identifikimin dhe zgjidhjen e probleme, dhe në nivel vendor, për të rritur efikasitetin. Kaq mund të bëjë Prokuroria e Përgjithshme në drejtim të goditjes së krimit financiar dhe pastrimit të parave. Për herë të parë ne po i lidhim këto dy vepra, tani mbetet në dorë të prokurorive”, vijoi Çela.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë