Drejtësia

SPAK çon në gjyq dosjen ndaj Vangjush Dakos, zyrtarisht nën akuzë për shpërdorim detyre në dy raste

Gazeta Si - SPAK ka mbyllur hetimet për ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako dhe të pandehurit e tjerë të përfshirë në dosjen hetimore.

Dosja e SPAK mësohet se është përcjellë pranë GJKKO-së me kërkesën e kalimit për gjykim, teksa Dako akuzohet për shpërdorim detyre në dy raste.

11 persona janë marrë të pandehur, ndërsa për vetëm një është kërkuar nga prokuroria pushimi i çështjes dhe bëhet fjalë për Meri Semini.

Gjithsej bashkë me Dakon u lëshuan 10 urdhër arreste, 7 prej të cilave me arrest në burg dhe 3 në arrest shtëpie.

Kallëzimi i parë është bërë nga banorët e një pallati në lagjen numër 5, godinë e cila u bë e pabanueshme pas tërmetit të vitit 2019. Sipas banorëve, leja e ndërtimit ishte dhënë në kundërshtim me ligjin, pasi pallati përfundoi me 4 kate shtesë.

Kallëzimi i dytë është bërë nga ish-kreu i PD-së Durrës, Ferdinand Xhaferraj, sipas të cilit, Dako shpërdoroi fondet publike për një rrugë që u tenderua, por nuk u realizua.

Padia e Xhaferrajt mbështetet edhe nga dy raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku për projektin e rrugës së Plazhit nga Bërryli deri në Currila, i është shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit në shumën 18 milionë lekë.

Sipas SPAK, Vangjush Dako, jo vetëm nuk ka marrë masa për Kontrollin e Komisionit të Llogaritjes së Fondit Limit, por ka miratuar dhe urdhrin e prokurimit me vlerën e propozuar nga ky komision, çka i është shkaktuar dëm shtetit në vlerën 18 milionë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë