Futboll

Sot tifozë, nesër turistë! Cana, Duka e Veliaj prezantojnë Kupën

Gazeta Si - Sot si tifozë, nesër si turistë! Armand Duka dhe Erion Veliaj kanë ndarë të njëjtin mesazh në prezantimin e trofeut të Ligës së Konferencës në Sheshin Skënderbej. Kupa do të qëndrojë deri nesër në shesh.

Kreu i FSHF-së dhe ai i Bashkisë së Tiranës kanë lënë mënjanë ‘armiqësinë’ e pak kohëve më parë. Bashkë me ish-kapitenin e Kombëtares Lorik Cana ata prezantuan sot trofeun e Ligës së Konferencës, që finalen e edicionit të saj të parë e zhvillon pikërisht në kryeqytetin shqiptar.

Duka në prezantimin e trofeut. Gazeta Si, 24 maj 2022

Trofeu mbërriti në shesh në duart e Lorik Canës. Ish-kapiteni kuqezi foli shumë shkurt. Ai uroi që ky trofe dhe kjo finale historike të jenë me këmbë të mbarë.

“Mirë se keni ardhur në Tiranë! Kemi kënaqësinë të prezantojmë trofeun e Ligës së Konferencës. Me këmbë të mbarë në Shqipëri dhe në Tiranë. Uroj që të kënaqeni këto dy ditë, të festojmë dhe të mirëpresim të huajt. Le të fitojë më i miri”, - tha Cana.

Pastaj përshëndeti presidenti i FSHF-së, Armand Duka. “Sot është ditë e veçantë për mua, për Lorikun dhe Erionin, që të prezantojmë trofeun e parë të Ligës së Konferencës.

Është ditë e veçantë për Tiranën, sepse e pret trofeun për herë të parë. Uroj që me sjelljen tonë t’i bëjmë të huajt të vijnë sërish në kryeqytet. Është një ditë e bukur për futbollin shqiptar, që pas një pune voluminoze arriti një objektiv madhor.

Uroj që të gjithë bashkë: holandezë, italianë e shqiptarë ta shijojmë këtë aktivitet. Uroj që ky event të mos jetë i fundit për ne shqiptarët. Suksese Romës dhe Fejnordit, uroj që dy ekipet ta zbukurojnë më shumë këtë festë”, - u shpreh Duka.

Erion Veliaj pozon me Kupën. Gazeta Si, 24 maj 2022

Veliaj foli pak më gjatë. Kryebashkiaku theksoi se finalja është një shans i artë që tifozët të njohin Tiranën dhe të kthehen sërish si turistë.

“Faleminderit gjithë qytetarëve të Tiranës për mikpritjen fantastike! Faleminderit atyre që kanë ardhur nga Roterdami dhe nga Roma! Është një shprehje e famshme: kupat me kalimin e kohës i zë pluhuri, kujtimet mbeten përgjithmonë.

Qëllimi i këtij organizimi, bashkë me FSHF-në dhe yjet e futbollit shqiptar është që kujtimet t’i kemi përgjithmonë. Edhe ata që nuk kanë biletë dhe kanë ardhur nga Roma apo Roterdami, le të vijnë te ‘Fan Zonat’ përkatëse.

Në Tiranë do jenë kryebashkiaku i Romës dhe i Roterdamit. Ne duam t’i respektojmë si miq, por duam që edhe ata ta respektojnë Tiranën. T’i lënë mënjanë zënkat. Falënderoj ata që kanë hapur shtëpitë për tifozët e huaj.

Siç e tha dhe presidenti Duka, shpresoj shumë ata që kanë ardhur për herë të parë në Tiranë si tifozë, të vijnë sërish si turistë me familjet dhe miqtë e tyre. I jemi mirënjohës çdo qytetari që bën të voglën e vet, që të dalim mirë nga kjo histori. Tirana jonë, imazhi i Shqipërisë dhe reputacioni i gjithë popullit shqiptar të shkojë sa më lart”, - theksoi Veliaj.

Finalja e Ligës së Konferencës. Gazeta Si, 24 maj 2022

Kreu i bashkisë sqaroi se Sheshi Skënderbeu do të jetë në dispozicion të tifozëve neutralë. Tifozët holandezë do të mblidhen te Pedonalja, kurse italianët te Liqeni Artificial.

Ditën e diel dhe të hënë kanë mbërritur në vendin tonë 4 mijë tifozë nga Italia dhe Holanda. Pjesa më e madhe e tifozëve të Romës dhe Fejnordit vjen sot, ndërsa të tjerë do të vijnë nesër, ditën e finales.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë