Rruga e tre ish-shokëve të Magjistraturës ndahet sot nga votimi në parlament. Olsian Çela, Arta Marku e Fatjona Memcaj janë 3 kandidatët për kryeprokuror me një mandat 7-vjeçar. Pas intervistimit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë bëri publik listën e pikëzimit të kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm. I pari u rendit prokurori Olsian Çela, ndjekur nga kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku dhe prokurorja Fatjona Memçaj. Olsian Çela ka 459 pikë, Arta Marku 406 pikë dhe Fatjona Memçaj 362 pikë. Para nisjes së seancës parlamentare të kësaj të enjteje, burimet nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste thanë se është marrë vendimi politik që mes 3 kandidatëve të votohet Olsian Çela. Kryeprokurori i ri zgjidhet me 84 vota, por në rast se kjo nuk ndodh, atëherë detyrën e merr ai që është i renditur i pari. Por duket se nuk do të ndodhë skenari i dytë, pasi PS ka vendosur të votojë Çelën, i cili duket se ka edhe pëlqimin e ndërkombëtarëve që e ndjekin gjithë procesin e miratimit dhe zbatimit të Reformës në Drejtësi.
Kush është Olsian Çela?
Ai është diplomuar në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2001. Karriera e tij nisi si prokuror i Tiranës, ku pas 3 vjetësh kaloi prokuror te Krimet e Rënda. Çela pati në dorë disa nga dosjet më të nxehta të trafikut të drogës, siç ishte dosja “Xibraka” që la në burg nipin e Enver Hoxha dhe anëtarët e tjerë të këtij grupi. Dosjen ‘Kompas’ që la në burg 32 persona që përdornin prostitutat si korrierë dhe çështjen e ‘vrasjes së Mirit të Xhikes. Po ashtu Çela ka hetuar edhe Emiljano Shullazin. Për këtë çështje dy vjet më parë, ai u përplas me drejtuesen e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Donika Prela. Ndërhyrja e kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku për këtë konflikt solli transferimin e tij në Berat. Por Çela ankimoi vendimin e Markut dhe u rikthye te Krimet e Rënda. Në këtë konflikt me Prelën u kuptua edhe ambicia e tij për të qenë në krye të organit qendror të akuzës shqiptare, aq i debatueshëm këto dy vitet e fundit, që kur në krye të këtij institucioni u zgjodh përkohësisht Arta Marku. Po ashtu Çela është edhe prokurori që hetoi grabitjen e parë të parave në pistën e Rinasit.
Çela: Jemi të ashpër me të dobëtit, po përgatisim fidanishte të krimit
Më 13 nëntor në seancën e intervistimit në KLP, Olsian Çela ishte kandidati i tretë për postin e kryeprokurorit që doli përpara Këshillit të Lartë Prokurorisë dhe ndërkombëtarëve.
Çela pranoi se prokuroria ka qenë e ashpër me shtresat e dobëta. Sipas tij, kjo nuk duhet të ndodhë, pasi krijon probleme të rënda sociale. “A ka qenë e domosdoshme vërtet që prokurori të shkojë të kërkojë masa ekstreme në çdo rast? A mendojmë ne që ai njeriu që ka bërë një vepër penale me të cilën mund të hetohet dhe pa shkuar në burg, ka një punë ka një familje, ka fëmijë që ngelen pa mbështetje?! Ata fëmijë të cilët e atij njeriu që dënohet me burg kur ndoshta mund të aplikoheshin metoda alternativa të dënimit, si do jetojnë? Do jenë në rrugë! Çfarë do bëjnë për të jetuar? Ne nuk jemi një shoqëri e pasur. Duke thelluar problemet sociale ne përgatisim breza të rinj që janë në rrugë sot dhe nuk kanë të ardhme dhe që nesër janë fidanishte të krimit”, ka thënë prokurori Çela.
Më tej, ai u shpreh se edhe vetë kodi i procedurës penale të lejon të zbatosh si duhet, të mos jesh ekstrem. Ne përgjithësisht jemi ekstrem, nuk i di arsyet. “Ajo që unë kam propozuar në platformë është kryerja e një studimi mbi efektet që ka hetimi penal, sanksionet e zbatuara, efektet që kanë këto sociale mbi qytetarët, efektet parandaluese pra sa na kanë ndihmuar ne për të ulur kriminalitetin”, theksoi Çela. Pyetjes së anëtarëve të KLP-së se si do e përballonit presionin e politikës nëse zgjidheni, Çela iu përgjigj: “Të jesh prokuror i përgjithshëm është fytyra e organit. Tek prokurori i përgjithshëm qytetarët shohin garantin e sigurisë së tyre. Media kërkon të jetë model për interesin publik. Nuk ka nevojë prokurori i Përgjithshëm t'i nënshtrohet presionit politik. Ne po fitojmë pavarësinë me vettingun. Në qoftë se nuk është i përgjegjshëm nuk do të ishte një funksionar i mirë por thjesht një zbatues mekanik! Demokracia mbrohet duke vënë para përgjegjësisë penale ata që shkelin ligjin! Duke qenë vigjilent ndaj respektimit prokurori të jetë edhe në hallkën e pare garantuese edhe të ligjit edhe që shoqëria s’do t’i nënshtrohet dhunës së arbitraritetit”, tha Çelaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.