Muzike

Sopranoja Ermonela Jaho anulon dy koncerte në Spanjë, shkak gjendja shëndetësore

Nga Gazeta Si - Sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho, ka anuluar dy koncerte në Oviedo dhe Bilbao.

Shkak për këtë anulim të koncerteve është bërë gjendja shëndetësore e sopranos.

Me anë të një postimi në “Facebook”, ndërsa bën me dije lajmin e anulimit të këtyre dy koncerteve, falënderon publikun dhe thotë se do të kthehet shumë shpejt në skenë, pa dhënë shumë detaje për gjendjen shëndetësore.

“Dua të shpreh me gjithë sinqeritet, nga thellësia e shpirtit, trishtimin e madh që ndjej tani që detyrohem të anuloj dy koncertet e mia në Oviedo dhe Bilbao për arsye të pashmangshme shëndetësore. Spanja është një vend për të cilin ndjej një dashuri të madhe dhe më bëri iluzion të veçantë për të qenë në gjendje të transmetoj në një mënyrë kaq të afërt, përmes muzikës, të gjithë afeksionin që ndjej për publikun tuaj, që me këto fjalë ju kërkoj falje dhe vlerësoj shumë”, shkruan sopranoja Jaho, ndërsa shton se “në të njëjtën mënyrë dua të falënderoj edhe mbështetjen që kam ndjerë përballë kësaj situate të vështirë nga këto dy Teatro të mëdhenj për të cilët ndjej shumë respekt. Oviedo Filarmonia, Tetro Arriaga Antzokia. Faleminderit me gjithë zemër dhe shpresoj të kem mundësi t’ju përqafoj shumë shpejt në Spanjë, një vend ku ndihem si në shtëpinë time”.

Ermonela Jaho gjatë një interpretimi në skenë

Edhe në korrik të këtij viti, sopranos Jaho iu desh të anulonte një aktivitet artistik, për shkak të problemeve me shëndetin.

“Të dashur miq, më vjen shumë keq t’ju ndaj që duhet të tërhiqem nga prodhimi i Pagliaçi nga ROH. Prej ditësh isha duke bërë prova ndërsa luftoja me disa sfida shëndetësore por fatkeqësisht situata u përkeqësua dhe pse doja të vazhdoja mjekët më këshilluan kundër saj. Shpresoj të shërohem së shpejti për angazhimet e mia të ardhshme”, do të shkruante Jaho në korrik të këtij viti.

Jaho është e njohur për rolet e saj, si Violeta, Madama Butterfly, Liu dhe shumë role të tjera në të cilat ka lënë gjurmë sa herë që i interpreton në teatro të ndryshme të botës. Ajo është fituese e çmimit ndërkombëtar Muzika Vokale 2021 për albumin e saj solo “Anima Rara”.

Ermonela Jaho njihet edhe për koncertet e saj të bamirësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë