Politike

Sondazhi i BB, PD: Qeveria në bankën e të akuzuarve për korrupsion

Partia Demokratike interpreton rezultatin e sondazhit të kryer me biznesin nga Banka Botërore si treguesin më të mirë të nivelit të korrupsionit në administratën publike.

“Sondazhi i fundit i Bankës Botërore është një tjetër këmbanë që i kujton qeverisë shqiptare se si koha e saj në pushtet ka prodhuar korrupsionin më të pamenduar ndër shqiptarë. Janë 36,1% e bizneseve shqiptare që ankohen se korrupsioni është kthyer në oksigjenin e jetës së administratës publike tatimore dhe qeverisëse. Qeveria Rama që erdhi në pushtet me parrullën e luftës kundër korrupsionit sot gjendet në bankën e të akuzuarve të biznesit si qeveria edhe më e korruptuar”, deklaroi ish-deputetja demokrate, Jorida Tabaku.

PD thotë se sondazhi i Bankës Botërore provon se 44 për qind e bizneseve rendisin korrupsionin si pengesën kryesore të aktivitetit të tyre dhe se 92 për qind ankohen për vizita të shpeshta nga organet tatimore.

“Këto shifra janë tregues kokëfortë që Rama dhe klika e tij në pushtet kanë krijuar një rrjetë merimange të korrupsionit ku çdo biznes i duhet të paguajë për të mbijetuar, ndërkohë që kompanitë që ankohen se taksat janë pengesë serioze për zhvillimin e biznesit për vitin 2019 janë 48.8%, kjo vlerë është 3 herë më e lartë se sa viti 2013. Bizneset që identifikojnë administratën tatimore si pengesë serioze në biznesin e tyre janë 29% një vlerë 2 fish më e lartë se sa në vitin 2013”, shtoi Tabaku.

Për opozitën, rezultati i sondazhit të BB-së nuk është i papritur dhe ai është në vazhdën e raportit të Departamentit të Shtetit, që sipas Tabakut, e vlerësoi Shqipërinë si vendin më të korruptuar në Ballkan.

“DASH theksoi se sot duhet o të jesh i lidhur me qeverinë dhe me lidhje politike ose të paguash taksën e korrupsionit”, deklaroi ish-deputetja e PD.

Banka Botërore kryen çdo gjashtë vjet sondazhin me sipërmarrjet në vendet e Europës Lindore, ku biznesi pyetet në lidhje me klimën, korrupsionin, taksat, krimin dhe kuadrin ligjor. Sondazhi i fundit, para këtij të fundit u krye në vitin 2013.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë