Njerez

Somalia drejt ndalimit të gjymtimit gjenital femëror

Avokati i Popullit në Somali ka treguar për herë të parë mbi një fenomen tepër të rrezikshëm për vajzat, gjymtimin gjenital të femrave. Një vajzë dhjetëvjeçare vdiq në momentin që kreu operimin e organit gjenital, ndërsa ngjarja u përshkrua nga avokati si një moment përcaktues për të ndryshuar këtë traditë në një komb ku 98% e grave i nënshtrohen gjymtimit gjenital femëror.
Në një konferencë për shtyp mbi gjymtimin gjenital femëror avokati Ahmed Ali Dahir tha se kishte dërguar një ekip me dhjetë hetues në shtëpinë e vajzës 10-vjeçare Deeqa Dahir Nuur, për të pyetur prindërit e saj rreth kësaj ngjarjeje.
Zëvendëskryeministri Mahdi Mohamed Gulaid, i cili merr pjesë në aktivitete të ndryshme për t’i dhënë fund gjymtimit gjenital femëror, tha se nuk është e pranueshme që në shekullin 21, gjymtimet gjenitale femërore të vazhdojnë në Somali.
“Ky fenomen nuk duhet të jetë pjesë e traditës dhe kulturës tonë. Nuk është aspak pjesë e fesë islame. Prokuroria duhet të japë një mesazh të fortë për këtë fenomen. Ky është me të vërtetë një moment përcaktues për Somalinë,” shtoi ai.

Aktivistja Ifrah Ahmed

Ky njoftim i befasishëm u diskutua nga aktivistët kundër këtij fenomeni në mbarë botën. Njëra prej të mbijetuarave të gjymtimit gjenital femëror, aktivistja Ifrah Ahmed tha se deklarata e zëvendëskryeministrit ishte e duhur.
"Kjo tregon sa shpejt gjërat mund të lëvizin kur ka vullnet politik. Fushatat e mëparshme për t'i dhënë fund gjymtimit gjenital femëror, që u mbështetën nga grupe konservatore dhe fetare kanë qenë të kota,” shtoi Ahmed
“Është një lajm i madh që Avokati i Popullit po e merr seriozisht vdekjen e kësaj vajze,” tha Brendan Wynne, aktiviste në një organizatë bamirëse që mbështet grupet që janë kundër këtij fenomeni.
“Megjithëse nuk ekziston një ligj efektiv për gjymtimin gjenital femëror në Somali, shpresojmë se një prokuror mund të dërgoj një sinjal se kjo forme ekstreme e dhunës nuk do të tolerohet më. Vajzat somaleze po vdesin për shkak të këtij fenomeni. Nuk ka asnjë justifikim për të mos e zvogëluar plotësisht këtë traditë,” shton ajo.

Shumica e vajzave në Somali i nënshtrohen formës më të rëndë të prerjes së organit gjenital nga mosha pesë deri në nëntë vjeç. Kjo procedurë përfshin çarjen e vaginës së mbyllur, duke lënë të hapur vetëm një hapësirë të vogël përmes së cilës do të kalojë gjak menstrual. Operacioni kryhet shpesh nga mamitë ose shëruesit e patrajnuar duke përdorur mjete primitive, si thika, brisqe ose copa qelqi.
Së bashku me tre motrat e saj dhjetëvjeçarja u dërgua në fshatin Olol në qytetin Galmudug ku mendohet se personi që kryente zakonisht këtë lloj operacioni i ka prerë një venë vajzës.

E gjithë historia u tregua nga xhaxhi i vajzës, i cili ishte kundër kësaj tradite. Sipas tij, Deeqa dhe tre motrat e saj iu nënshtruan operacionit për gjymtimin e organit gjenital në të njëjtën kohë.

Ajo ca është më e trishtueshme në këtë fenomen është se prindërit mendojnë se operacioni është normal dhe nuk i njeh rreziqet. Deqqa nuk është e vetmja që ka vdekur nga gjymtimi gjenital femëror në Somali, pasi ka edhe shumë raste të tjera por nuk janë bërë publike, duke treguar që ky fenomen është krejtësisht normal dhe somalezët duhet të ndjekin traditat e të parëve.
Disa aktivistë që janë kundër këtij fenomeni thanë se, edhe pse Somalia nuk ka një legjislacion të posaçëm që dënon gjymtimin gjenital femëror, sharlatanët qe kryejnë këto operime duhet të ndiqen penalisht.
Maggie O’Kane, drejtoresha e fushatës për ti dhënë fund gjymtimit gjenital femëror tha se dënimi dhe ndalimi kategorikisht i këtij fenomeni mund të jetë më i ngadalshëm sesa shpresohet.
“Fakti që prokurori i përgjithshëm ka deklaruar se do të ndiqen penalisht të gjithë personat që kryejnë këto operime është tepër i rëndësishëm për këtë vend,” shton O’Kane/The Guardian/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë