Yjet historikë të kombëtareve të Shqipërisë, Italisë, Greqisë dhe Turqisë do të zbresin sot në fushën e Air Albania Stadium. Festivali i futbollit me emrat e njohur të katër kombëtarëve, siç janë Zambrota e Perrota, Kampionë të Botës në 2006, apo Rüştü Reçber i cili ishte një nga liderët e Turqisë në Botërorin e vitit 2002 ku u renditën në vendin e tretë si dhe fqinjët grekë të cilin fituan Kampionatin Europian në vitin 2004 nën dirigjimin e Karagunis, synon krijimin e një tradite të tillë në futbollin shqiptar për të afruar sportdashësit me emrat e mëdhenj të futbollit tone dhe atij ndërkombëtar. Të gjithë të ardhurat e siguruara nga shitja e biletave të ndeshjes do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit. Ky turne organizohet nga Sindikata e Futbollit me mbështetjen e plotë të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Pjesë e yjeve të Shqipërisë do të jenë emra të tillë si Igli Tare, Foto Strakosha, Besnik Hasi, Altin Lala, Ervin Skela, Erjon Bogdani, Alban Bushi etj. Pak orë para ndeshjes, ish-futbollistët e Shqipërisë, Greqisë, Italisë dhe Turqisë kanë vizituar zonat e prekura nga tërmeti dhe janë solidarizuar me njerëzit që kaluan dhe po kalojë ende momente të vështira. I pranishëm me grupin ka qenë edhe ish-trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit Gianni De Basi, i cili u shpreh se me zemër ndihet shqiptar dhe kjo që ka ndodhur i ka prekur të gjithë.
Ndërkohë që ish-kapiteni i kombëtares Ervin Skela ka deklaruar se kjo që ka parë me sy sot në Bubq ishte më e rëndë nga ajo që dukej në televizor. “Më bëhet mishi kokrra kokrra kur shikoj këpucë fëmijësh këtu…. këtë gjendje. Zoti u dhëntë forcë, është më rëndë nga ajo që kemi parë në televizor” tha ai.
Të pranishëm në zonat e prekura kanë qenë edhe yjet që ndihmuan Greqinë të shpallej Kampione Europe, Georgios Karagunis dhe Dimitris Papadopulos. “Kemi ardhur për një ndeshje bamirësie. Sapo na propozuan për të qenë të pranishëm, thamë menjëherë po. Është e domosdoshme prania për kauza të tilla. Futbolli nuk ka kufij dhe gjithmonë duhet të ndihmojë njëri-tjetrin.’’
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.