Njerez

“Soire”, Alban Skënderaj dhe besimi i Tanit të Topit për të prodhuar yje

Nga Besnik Myftari* - Para pak ditësh në Top Channel në emisionin “Suaré” u transmetua një festim ose homazh për Alban Skënderaj, për jetën dhe karrierën e tij të shkëlqyer. M’u bë shumë qejfi sepse e meriton, por në një farë sensi më dha një formë trishtimi sepse kur jemi njohur, ai ishte diçka më shumë se 20 vjeç dhe unë pak a shumë moshën që ka ai sot. Ai sot është një artist me “A” të madhe, i formuar si njeri, burrë, baba në kulmin e forcës. Atëherë ishte një djalë i talentuar, me ëndrra të mëdha dhe pak i shqetësuar për rrugën që do të bënte në jetën e vet. Sot mendoj që ia ka dalë dhe nuk ka më dilema …
Ndër të tjerë, i ftuar ishte babai i tij, një zotëri fisnik, dhe disa koleg të TCH si Eno Popi apo DJ Olti që po ashtu i kam njohur shumë më parë se Albani se kemi qenë së bashku në fillimet e aventurës së Top Albania Radio, apo Top Records etj…
Më ra në sy rastësia e ditës sē transmetimit të emisionit, ishte dt 22 maj në darkë duke ardhur data 23. Për ne që kemi qënë në Top Media është një datë shumë e veçantë, na kujton natën kur u ndërpre jeta e Tanit, Tanit të Topit siç e kujtojnë të gjithë. Mendova që ishte një diçka perfekte që për pak minuta mund të ngjizeshin 2 jetët e Albanit me të Tanit, jo që të bëhej i gjithë emisioni për të dy, sepse do të ishte e tepërt, por sikur të ndalohej pak më shumë se sa një dolli e Enos në një moment ku trokiti gotat e verës nën thënien "kjo është për Tanin e Topit” dhe pasi u rufit një gllenjkë nga të gjithë të pranishmit, u kalua në pikën tjetër të skaletës së emisionit.
Në emision, normal, ishte për të folur për karrierën e Albanit që nisi pikërisht në Top Fest të Top Channel në vitin e largët 2005 si një perfekt anonim që vinte me guxim dhe shpresa të mëdha për të marrë pjesë në atë festival të këngës së re shqiptare ku eksperimentohej çdo rrymë e re dhe ku mund të merrte pjesë kushdo që besonte se kishte talent. Nuk ndalohej asnjë lloj rryme muzikore dhe asnjë pjesmarrës, mund të paraqiteshin nga Jugu, Veriu, Kosova, Maqedonia, diaspora etj… Por kishte vetëm një kusht: duhet të ishe i ri dhe mundësisht anonim. Dua të zgjatem pak këtu, pa mërzitur lexuesin, për të shpjeguar se si funksiononte Top Fest-i atëherë dhe Top Media në përgjithësi. Sepse sipas kolegëve që ishin në emision atë ditë DJ Olti dhe Eno Popi të cilët, njësoj si unë, kanë qënë bashkëpuntorë dhe bashkëudhëtarë të Tanit të Topit në ato vite, doli shumë e përciptë dhe joprofesionale sipas mendimit tim. Ndoshta është thënë kështu sa për të thënë, ose sepse është lloji i emisionit, i bërë enkas për të qënë i shkujdesur dhe jo më kot shoqërohet edhe me nga një gotë verë. Gjithsesi unë mendoj të nënvizoj disa gjëra për të kuptuar si fillonte karriera e disa personazheve shumë të talentuar në atë kohë dhe si e mendonte rolin e medias Tani i Topit që në fillimet e tij.

Alban Skënderaj

Kushti i parë ose postulati i Top Medias ishte "yjet i bëjmë ne", nuk i marrim të gatshëm sepse donim të shkëputeshim nga kultura ose tradita që vinte nga e kaluara. Për këtë, arsye Top Media ishte e mbushur, në pjesën më të madhe të saj, me të rinj ose shumë të rinj. Pikërisht është rasti i të tre të ftuarve në emisionin “Suare”, pra të Albanit, Enos dhe Oltit. Nga të tre, Albani e ka filluar “vonë” karrierën, ka qenë 23 vjec, Olti besoj 17-18 vjeç, Eno 15-16 vjeç pak a shumë…
Albani, si pothuaj të gjithë pjesmarrësit në Top Fest, për të marrë pjesë, dorëzoi në Top Media një disk të incizuar vetë, këngën pjesëmarrëse në festival, shoqëruar me të dhënat e veta dhe numrin e telefonit. Pasi është dëgjuar nga stafi artistik i kryesuar nga një i "moshuar" i Top Medias, Bojken Lako, u përzgjodh për të marrë pjesë në festivalin që transmetohej përditë në Top Channel. Dhe kështu fillon aventura e shkëlqyer e Alban Skënderajt si një nga kantautorët më të talentuar të Shqipërisë në këto 15 vite! Por talenti shumë shpesh nuk mjafton, duhen struktura dhe mendësi për t’i ndihmuar ato që të dalin në sipërfaqe dhe më pas të pushtojnë gjithë zemrat e fansave. Nga një ditë në tjetrën ai u gjet në transmetim në një TV kombëtar, në një Radio Kombëtare dhe një shtëpi diskografike kombëtare. Në të gjitha emisionet e Top Channel që merreshin me spektaklin ai u ftua. Brenda muajit, transmetohej mbi 10 herë në ditë nga Top Albania Radio dhe u vendos në diskun që lançonte Top Records me gjithë këngët më të mira të festivalit dhe më pas mori pjesë në të gjitha koncertet verore që organizonte Top Media. Ai u bë fituesi më unanim që ka pasur ndonjëherë Festivali Top Fest dhe kur një “veteran” i Top Channel, Alban Dudushi, më ftoi në skenë që t’i dorëzoja një çek prej 10 mijë eurosh, ne të dy dëgjuam një fjalë klasike që e thonë në Itali, nga ku Alban Skënderaj vinte si emigrant: “CAZZO”!
Po i shpjegoj pak këto, jo për të thënë që Albani nuk i meritonte, absolutisht jo, ai ishte një nga më të veçantët në prurjet që kishim në atë vit, por po i them këto sepse, të gjithë ne por sidomos Tani i Topit pa tek ai djalë i ndrojtur dhe i edukuar yllin e ardhshëm të muzikës pop në Shqipëri, ashtu siç kishte parë më parë tek një 17-vjeçar një DJ nga më të mirët në Shqipëri, apo tek Eno një nga gazetarët dhe moderatorët më të mirë duke vënë në dispozicion të talenteve të tyre talentin e tij të jashtëzakonshëm për të prodhuar jo vetëm teknologji, por dhe yje që pushtuan ekranet!

*Besnik Myftari, Drejtori i Top Fest dhe Top Records


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë