Politike

Socialistët publikojnë kontratën me firmën e Bashës në SHBA

Vendimi i Gjykatës së Tiranës për të pushuar çështjen penale ndaj kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, si dhe ndaj dy ish-zyrtarëve të kësaj partie sa i përket fondeve të paguara në SHBA ndaj një kompanie lobuese vijon të shkaktojë reagime të forta brenda radhëve të PS-së. Socialistët nuk pajtohen me vendimin ne Gjykatës dhe për këtë ata po nxjerrin si provë kontratën e firmosur nga Basha me firmën lobuese Muniz Capitol. “Për ta kuptuar dosjen “Basha”, shikojini me kujdes këto dokumente të publikuara në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Drejtësisë (Akti i Regjistrimit të Agjentëve të Huaj). A janë këto kontrata të firmosura nga Lulzim Basha me numër pasaporte diplomatike DB1159763?”, shkruan kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla në një status në Facebook.
Ndërsa zv.kryeministri Erjon Braçe ironizon vendimin e Gjykatës dhe qëndrimet e PD-së, duke theksuar se provat e ekzistojnë. “Lulzim Basha kërkon të fsheh imunitetin unik për të mos u gjykuar kurrë, kështu! Prova? Ja ku janë e ja bëjnë mu! Nuk janë letra bakalli, janë dokumente zyrtarë të depozituara në Agjencinë më serioze në botë; Janë me firmë te Nik Muzin e Lulzim Bashës. Prokurorët e gjykatësit në Tiranë nuk kanë lejuar të hetohet e gjykohet rreth tyre! Zero! Kur nuk hetohet nuk ka prova, afërmendsh!”, shkruan Braçe. Ai thekson se dokumentet ekzistojnë në zyrat e institucioneve amerikane dhe janë publike, në dallim nga këtu, i shohin e i marrin të gjithë.
“Prova thotë se Nik Muzin njeriu nën kontrate me PD ka deklaruar zyrtarisht, me shkrim se ka marrë për llogari të PD-së 670 mijë dollarë! Tani, ose gënjen ai nën betim dhe përgjigjet në Amerikë për këtë, ose gënjejnë këtu Lulzim Basha e zarat e tij dhe kanë imunitet e as hetohen e as gjykohen. Provat ja bëjnë mu, imuniteti ndaj drejtësisë nuk i bën te padukshme! Krim i rëndë elektoral është ky apo jo?!”, shprehet më tej Braçe.

Faksimile e kontratës së firmosur nga Basha dhe firma lobuese, nga Nicolas Muniz. Gazeta "Si" 14 janar 2020


Qëndrimeve i të socialistëve nga selia e PD-së, i është kundërpërgjigjur ish-deputeti i demokrat Gent Strazimiri.
“Immbecili rural Taulant Balla paska paralajmëruar se do të apelojë një vendim gjykate të marrë ndaj kreut të opozitës, në një gjyq ku palë nuk është PS, por prokuroria! Nëse ju duket se ky imbecili rural kërkon të demonstrojë pushtet kudo, veçanërisht, në çdo gjë që s'i takon: Keni të drejtë! Nëse ju duket se ky imbecili rural kërkon të tregojë me arrogancë prej rurali, që ju sundon pavarësisht ligjit, gjithashtu: Keni të drejtë! Nëse pas kësaj, arrini në konkluzionin se, si çdo imbecil rural, edhe ky nuk shijon dot asgjë që ka, veçanërisht nga ato që nuk i takojnë, nëse me arrogancë dhe publikisht nuk ua përplas në fytyrë të sunduarve prej tij, përsëri: Keni të drejtë!”, shprehet Strazimiri.

Faksimile e pagaesave te PD-se dhe kohezgjatja e tyre. Gazeta "Si" 14 janar 2020


Për ish-deputetin “Balla sot është prokurori! Ky është sot gjyqtari! Ky është sot edhe "E drejta", pavarësisht sa të drejtë keni”.
Socialistët kundërshtuan të hënën vendimin e Gjykatës që mbylli çështjen e hetuar për më shumë se dy vite nga ana e prokurorisë në lidhje me fondet e kontratat e lobimit në SHBA të firmosura nga PD-ja. Vetë Balla do të kërkonte që prokuroria ta apelonte vendimin, si dhe të nisej një hetim nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë