Motosport

Skualifikohet Fetel, Hemilton ngjitet i dyti dhe Ferrari në pod me Sainz

Një garë që nuk përfundon kurrë ajo e Hungarisë. Surprizat kanë vazhduar edhe pas sinjalit të flamurit me kuadrate për fundin e garës dhe festës në pod të Okon. Sebastian Fetel, që e mbylli në vend të dytë, është skualifikuar nga komisarët e garës. Në matjet karburantit të mbetur pas garës, ata kanë gjetur 0.3 litra benzinë në vend që të gjenin 1 litër.

Dhe kjo është një shkelje e rregullores sportive. Pas verifikimeve të fundit, një pjesëtar i skuderisë Aston Martin është marrë në pyetje nga komisarët e garës për të argumentuar pozicionin e skuadrës britanike. Pas orës 22:00 ka ardhur edhe zyrtarizimi i skualifikimit të Fetel.

Skualifikimi bën që piloti gjerman të humbë vendin e dytë që zuri në Hungaroring. Përfiton në këtë rast Karlos Sainz që e ngjit Ferrarin e tij në pod, në vend të tretë. Përfiton gjithashtu edhe Ljuis Hemilton, që merr vendin e dytë dhe thellon edhe në 2 pikë më shumë avantazhin ndaj Vershtapenit. Holandezi kalon nga vendi i 10-të në të 9-in. Klasifikimi i pilotëve udhëhiqet nga Hemilton me 195 pikë dhe Vershtapen me 187 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë