Bota

Skoci, kryeministri Yousaf jep dorëheqjen pas kolapsit të koalicionit qeveritar

Gazeta Si- Preferoi të jepte dorëheqjen sesa të shkarkohej nga Parlamenti: kryeministri skocez, Humza Yousaf, la detyrën pak më shumë se një vit pasi mori drejtimin e ekzekutivit të Edinburgut.

Një fund i palavdishëm për kryeministrin e parë mysliman me origjinë pakistaneze në krye të një prej katër kombeve që përbëjnë Mbretërinë e Bashkuar.

Yousaf mezi i mbajti lotët gjatë fjalimit të lamtumirës: por fati i tij u shfaq i vulosur që nga java e kaluar, kur shumica e tij, e themeluar në aleancën midis nacionalistëve dhe të gjelbërve, ishte shembur dhe laburistët me opozitën konservatore kishin paraqitur dy mocione mosbesimi, që do të votoheshin të mërkurën.

Koalicioni qeveritar kishte shpërthyer pasi nacionalistët e Yousaf kishin njoftuar braktisjen e qëllimit ambicioz për uljen e emetimeve me 75% deri në vitin 2030: një kthim prapa që kishte ndezur zemërimin e ekologëve, tashmë të mërzitur, sepse kryeministri kishte pranuar konkluzionet e raportit të Cass, një hetim i porositur nga sistemi shëndetësor anglez, i cili e kishte cilësuar si të pabazuar të gjithë mjekësinë pediatrike mbi temën e tranzicionit gjinor.

Të Gjelbrit skocezë janë mbështetës të vendosur të ideologjisë transgjinore dhe qeveria e Edinburgut u përpoq të miratonte një ligj për vetëidentifikimin gjinor vitin e kaluar, të cilin Londra vuri veton.

Yuosaf kishte mbledhur një trashëgimi shumë të vështirë për t'u menaxhuar: ai, i mbiquajtur "Humza i padobishëm", e kishte gjetur veten duke marrë problemet e lëna nga Nicola Sturgeon, kryeministrja që iu desh të jepte dorëheqjen vitin e kaluar, e tronditur nga reagimet ndaj ligjit të transgjinorëve dhe nga skandalet financiare të partisë (ajo është nën hetim dhe bashkëshorti i saj është akuzuar).

Që atëherë, nacionalizmi skocez ka rrëshqitur dukshëm dhe sondazhet tani i tregojnë ata pas laburistëve: nëse do të shkonin në zgjedhje të parakohshme, siç është e mundur, shumica e tyre do të zvogëlohej më tej.

Pas 17 vjetësh në pushtet, nacionalistët e kanë çuar Skocinë në një qorrsokak: dhe ëndrra për pavarësi po tërhiqet gjithnjë e më shumë në horizont.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë