Politike

Skepticizëm për Agjencinë e Informimit. Dilemat për strukturën dhe funksionin: Kthim pas në kohë

Projekti i Qeverisë për ngritjen e një agjencie kombëtare për informim pritet me rezerva dhe skepticizëm nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë. Gazetari dhe kreu i këtij Unioni, Aleksandër Çipa thotë për Gazetën Si se skepticizmi i momentit lidhet me faktin që ende nuk është e qartë se si do të ngrihet dhe funksionojë kjo strukturë e re.

“Reagimi ynë i parë për projektin e Qeverisë për krijimin e Agjencisë për Informim është i lidhur me skepticizmin, sepse ende ne nuk e njohim strukturën se si do të funksionojë dhe procedurat që do të realizojë për të drejtën e informimit të opinionit publik”, shprehet Çipa.

Çipa thekson se duhet parë mbi çfarë metodologjie dhe praktike komunikimi dhe të informimit do të konceptohet kjo administratë e re. Sipas tij, nëse ajo konceptohet si agjenci centralizuese e informimit rrezikon që të shmangë transparencën dhe të cenojë të drejtën për informim.

“Nëse do të ketë për qëllim të centralizojë të drejtën për informim nga institucionet e qeverisjes dhe administrata publike kjo lë shumë për të dëshiruar. Një centralizim i tillë do të thotë të evitojë transparencën, nga ana tjetër të privojë gazetarin që të garantojë dhe hulumtojë informacionin në mënyrë të pavarur dhe vetjake. Po kështu, ajo pengon entitetet mediatike që të sigurojnë në mënyrë të pavarur një informacion dhe të dhëna që kanë të bëjnë se si procedohet për buxhetet publike, për financimet publike, investimet publike dhe mënyrën se si administrohen fondet publike”, u shpreh Çipa.

Pika tjetër që thekson, Aleksandër Çipa është mundësia që kjo strukturë e re të zhbëjë edhe më tej autoritetin e zëdhënësit publik të institucioneve shtetërore dhe administratës, që siç tha, në dy mandatet e para të Kryeministrit Rama “pothuajse është zhbërë”.

“Skepticizmi ynë është i lidhur edhe me një arsye tjetër. Si do të ndërtohet dhe mbi ç’kritere do të ndërtohet e ashtuquajtura administratë informuese e Agjencisë për Informim. Nëse do të ketë atributet e një ministrie të informacionit, ose shëmbëllesë e tillë, kjo mbetet për t’u parë, sepse kjo eviton atë që quhet autoriteti i zëdhënësit publik dhe në dy mandatet e qeverisjes së Kryeministrit Rama, pothuajse është zhbërë procedura dhe funksioni i zëdhënësit publik nga institucionet”, deklaroi ai.

Aleksandër Çipa thotë se centralizimi do të rrisë burokracitë dhe afatet kohore të marrjes së informacionit.
“Një përqëndrim i tillë do të shtojë procedurën dhe atë që quhet burokracinë e shpërndarjes së informacionit, dhënies dhe marrjes së informacionit. Kjo shkakton bllokimin kohor të marrjes së informacionit në njësinë e kohës nga reporteret dhe entet mediatike”, u shpreh ai.

Ndërkohë, kreu i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi nënkupton se nisma e Qeverisë është një kthim pas në kohë, në ditët e fundit të komunizmit. Ai publikon një telegram të degës së Punëve të Brendshme të Lushnjes në mars të vitit 1991, ku mes kërkesave është edhe ajo e ndalimit të intervistave për Zërin e Amerikës nga partitë e tjera politike.

“Retrospektivë e tranzicionit. 3/1991. Ja si perceptohej demokracia, zgjedhjet & konkurrenca dhe çfarë koncepti të deformuar kishte shteti, administrata, policia dhe Sigurimi mbi vetë pluralizmin, Perëndimin, mendimin e lirë & median e pavarur. Kështu nisi. Kështu vijojmë?”, pyet Krasniqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë