Skënderbeu mbetet një kundërshtar i frikëshëm për Partizanin kampion në fuqi, pavarësisht se korçarët nuk kanë më ”stofin” e viteve të mëparshme. Një ndeshje spektakolare është zhvilluar në stadiumin e Korçës, ku të kuqtë u gënjyen nga goli i Telushit me panallti pas pak minutash lojë dhe në fund humbën 3-2. Vlonjati realizoi nga pika e bardhë, ndërsa Çinari më parë kishte gabuar i vetëm përballë Koliçit. Më pas erdhi përmbysja e Skënderbeut të Dajës, që duket se nuk vdes kurrë. Duhet theksuar se Partizani mbeti me 10 lojtarë, pasi Broja mori dy kartonë të verdhë që nëpjesën e pare.
Pas një kundërsulmi të shpejtë, korçarët detyrojnë Bitrin të shkaktojë autogol në portën e tij, ndërsa në shtesën e kësaj pjese Blerim Krasniqi e kalon Skënderbeun në avantazh, 2-1. Bregu shënoi edhe golin e tretë për ekipin vendës, spektakolar për nga mënyra e ekzekutimit. Autogoli i Ditës në kohën shtesë vlen sa për statistikë. Trajneri Adolfo Sormani deuton me humbje, ndërkohë që për kampionët do të jetë shumë e vështirë ta ruajnë titullin në këtë sezon.
Në Durrës Laçi ka thyer parashikimet dhe ka fituar 0-1, me golin e Turkajt në pjesën e dytë. Një fitore që e bashkon skuadrën e trajnerit Cungu me tri skuadrat e tjera që kanë 28 pikë, me Teutën, Partizanin dhe Tiranën. Kjo e fundit luan sot në fushën e saj me Bylisin dhe ka një mundësi shumë të mirë të shkëputet, ndërsa Kukësi kryesues luan në Gjirokastër me Luftëtarin e përfshirë nga kriza, ashtu si Flamurtari, që u mund 2-0 në Shkodër sot.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.