Futboll

Skënderbeu dhe Tirana shpërthejnë me gola, merr drejtim kampionati

Skënderbeu dhe Tirana i kanë dhënë fund ecurisë së dobët të javëve të fundit, duke regjistruar fitore bindëse në javën e 29-të të Superiores, përkatësisht 4-0 ndaj Kastriotit dhe 1-3 ndaj Teutës. Me shumë vlera fitorja e Tiranës, pasi është arritur në transfertë. Një “ndihmë” bardheblutë e kanë marrë edhe nga Skënderbeu, që ka mundur thellë rivalin e tyre, Kastriotin. Tashmë situata në renditje është më e qartë: Partizani pret vetëm matematikën të shpallet kampion, kurse Kastrioti, me shumë mundësi, do të jetë skuadrae dytë që do të bjerë nga kategoria, pas Kamzës.

Skënderbeu e zgjidhi shpejt ndeshjen. Gjergji Muzaka e kaloi ekipin korçar në avantazh pas 15 minutash dhe më pas ishte më e lehtë për korçarët ta administronin lojën. Golat e tjerë për ekipin e trajnerit Shehi u shënuan nga Oto Xhon dhe dy nga Blerim Krasniqi. Teuta ka pësuar humbjen e tretë radhazi dhe tani e sheh veten në vend të 5-të, të rrezikuar të mbetet jashtë Europës. Në stadiumin “Niko Dovana” triumfoi Tirana me golat e Oduamadit, Hasanit dhe Karabecit.

Tirana feston një gol

Partizani fitoi në tavolinë në javën e 29-të të Superiores, pasi duhej të luante me Kamzën, dhe u shkëput 12 pikë nga Kukësi, që humbi me Flamurtarin. Titulli është një formalitet për të kuqtë. Ka ndryshuar situata edhe për zonën europiane, ku Teuta dhe Laçi kanë humbur terren dhe janë ngjitur Flamurtari dhe Skënderbeu. Vlonjatët, pas disa fitoreve radhazi, ndodhen në kuotën e 47 pikëve dhe kanë shanse edhe për vendin e dytë. Korçarët kanë marrë vendin e katërt, me pikë të barabarta me Teutën, që vazhdon të zhgënjejë javë pas jave.

Edhe ”zona e ftohtë” duket se ka marrë drejtim, pas fitoreve të Tiranës e Luftëtarit dhe humbjes së Kastriotit. Krutanët kanë mbetur 6 pikë pas Tiranës dhe 7 pas Luftëtarit, një diferencë e konsiderueshme për javët e mbetura, që do të thotë se shpresat e Kastriotit për të qëndruar në elitë janë minimale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë