Futboll

Flamurtari nuk njeh pengesa, i tregon vendin edhe Kukësit

Paratë në futboll janë shumë të rëndësishme në kohët e sotme, por jo në çdo rast vendos vetëm ana financiare. Shembullin më domethënës po e jep Flamurtari, që ka pasur shumë probleme me pagat këtë kampionat, por aktualisht mban vendin e tretë me 47 pikë, një pikë pas Kukësit të vendit të dytë. Pikërisht këtë kundërshtar skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Daja e mundi 1-2 në stadiumin "Elbasan Arena", duke e kërcënuar tani për t'i marrë vendin e dytë.

Xhevahir Sukaj dhe Emiljano Musta shënuan dy gola për Flamurtarin, pasi më parë Kukësi kishte humbur shumë raste me Ramën, Rexhinaldon dhe Shkurtajn. Vlonjatët janë treguar cinikë, kanë shfrytëzuar rastet që u krijuan dhe pas golit të Kukësit me Rexhinaldon, arritën të mbroheshin shumë mirë. Skuadra e Flamurtarit i ka merituar tri pikët ndaj Kukësit dhe meriton po ashtu komplimente për profesionalizmin që po tregon në këtë kampionat, përtej probleme që ka pasur. Tri javët e fundit Flamurtari ka fituar me Tiranën, Teutën dhe Kukësin, duke vërtetuar se është një ekip me shumë vlera, edhe pse grupi aktual është mjaft i cunguar.

Nga ndeshja Kukësi-Flamurtari, 1-2

Nga ana tjetër, Kukësi i ka komplikuar shumë gjërat, pasi po rrezikon edhe vendin e dytë. Në dy ndeshje në stolin e Kukësit, trajneri i ri, Ernest Gjoka, ka marrë një fitore në Laç dhe është mundur nga Flamurtari. Edhe pse me shumë lojtarë me kualitet dhe shumë raste të krijuara në "Elbasan Arena", Kukësi nuk mundi të merrte pikë.

Në ndeshjen tjetër të javës së 29-të, Luftëtari ka arritur të fitojë ndaj Laçit 1-0. Vendimtar ishte sërish sulmuesi afrikan, Ismael Dunga. Një fitore me shumë vlera për gjirokastritët, të cilët janë ngjitur në kuotën e 37 pikëve dhe ka shtuar shanset e qëndrimit në Superiore, kurse Laçi ka komplikuar shumë llogaritë e Europës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë