Muzike

Skënderbeu bashkon edhe pas 550 vitesh (foto)

Duket se 550 vjet më vonë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu e përcjell mesazhin që la si amanet në shtratin e vdekjes, “Të bashkuar, edhe pa mua, do të fitoni.” Të paktën në botën e artit, ku këngëtarë, balerinë, instrumentistë janë bërë bashkë në koncertin e mbajtur në Vatikan, mbrëmjen e 19 nëntorit, në kuadër të kremtimeve të vitit jubilar të Skënderbeut , me moton “Bashkuar në muzikë në kujtim të Skënderbeut”. Edhe pse për këtë bashkim ishte nismëtar Papa Françesku, për të nderuar “Atletin e Krishtit” , në këtë vit, të cilin shteti shqiptar ia ka kushtuar prijësit legjendar, që duke luftuar Perandorinë Osmane, pengoi shtrirjen e mëtejshme të saj në Perëndim, duke mbrojtur kështu botën e krishterë, përtej detit…


Ermal Meta, Elhaida Dani, sopranoja Inva Mula, Dua Lipa, Olen Cesari, Kledi Kadiu, Genc Tukiçi, Ramë Lahaj, Eno Peçi, Erza Muqolli, Kastriot Tusha e Lorik Cana dhanë spektakël mbresëlënës për të pranishmit, në koncertin që u mbajt në Selinë e Shenjtë. Këngë si “Dua më shumë Shqipërinë” “Dua mëngjeset e majit” apo “Rrjedh në këngë e ligjërime” ndezën atmosferën shqiptare.

https://www.facebook.com/GOInsajderi/videos/1798501970259452/


Më herët, Papa Françesku priti në një dëgjesë private delegacionin shqiptar, që përbëhej nga përfaqësues të shtetit dhe të klerit fetar, kryesuar nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të kishës italo-arbëreshe, imzot Donato Oliverio dhe imzot Giorgio Gallaro.Bir heroik i një populli të fortë, e quajti Papa Françesku, Gjergj Kastriot Skënderbeut, gjatë fjalës së tij, ndërsa uroi të pranishmit dhe, me mendje, të gjithë shqiptarët atdhe e në vende të tjera të botës, “të cilët, në emër të lidhjeve të lashta të miqësisë e të marrëdhënieve të vazhdueshme, e shohin gjithnjë me dashuri Selinë e Shën Pjetrit”, tha Papa, ndërsa kujtoi se 50 vjet më parë, Shën Pali VI deshi të presë një përfaqësi të shqiptarëve.


“Shqipëria, tokë me histori të lashtë e të lavdishme, është pjesë përbërëse e Evropës dhe përmes traditave të saj më fisnike e më jetësore dokumenton zanafillën e vetë qytetërimit të saj. Sot, kujtojmë e kremtojmë Gjergj Kastriotin Skënderbeun, bir heroik i një populli të fortë e bujar, që mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë, aq sa të meritonte titullin “Athleta Christi”. Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar, si edhe interpretues në nivelin më të lartë i vlerave të besnikërisë së ndershme ndaj impenjimeve të ndërmarra lirisht.”


Në mes të shekullit të XV Gjergj Kastrioti Skënderbeu vendosi marrëdhënie të ndërsjella me Selinë e Shenjtë, në Vatikan, ndërsa këto marrëdhënie kulmuan me Papa Kalistin e III, i cili gjatë papatit të tij trevjeçar organizoi një kryqëzatë kundër turqve, që më 1453-shin kishin pushtuar Konstadinopojën. Roli i heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti në ndalimin e përparimit të ushtrisë turke në Europë është i pasqyruar në letërkëmbimin mes tij dhe Papa Kalistit të III. Ishte pikërisht ky papë që i akordoi Skënderbeut titullin “Atlet i Krishtit”.


“Prania, në takimin e sotëm, të një grupi arbëreshësh, pra, italo-shqiptarësh, me traditat dhe shprehjet e tyre gjuhësore përçuar prej shekujsh, na bën të imagjinojmë atmosferën e Shqipërisë së Skënderbeut dhe na konfirmon se heroi kombëtar mbetet urë e vlefshme për ruajtjen e lidhjeve të frytshme të arbëreshëve me tokën e tyre të origjinës”, tha Papa, ndërsa i referohej përfaqësisë së komunitetit arbëresh në këtë dëgjesë të veçantë.

Papa, shtoi më tej, se uron që ky përvjetor të jetë një rast i volitshëm i Shqipërisë në zhvillimin e vërtetë. Duke përkujtuar me mirënjohje shenjtorët martirë, që e dëshmuan fenë me çmimin e jetës, si edhe Shën Terezën e Kalkutës -për të cilën organizoi një koncert në Vatikan dy vjet më parë – Papa Françesku u dha bekimin apostolik të gjithë të pranishmëve dhe popullit shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë