Lajme

Skenarët hollivudianë nisin nga Suedia! Njerëzit identifikohen me mikroçip në trup

Nëse mendoni se koha e filmave sci-fi hollivudianë, ku personazhe janë njerëz që kanë të inkorporuar në trup një mikroçip që i identifikon ata kudo që shkojnë është e largët, mendojeni edhe një herë.

Në Suedi njerëzit kanë nisur të zëvendësojnë kartat e tyre të identitetit me mikroçipe që u vendosen nën lëkurë.

Përmasat e pajisjeve janë sa një kokërr orizi dhe instalimi i tyre kryhet përmes një procedure të shpejtë dhe që shmang dhimbjen. Ky mikroçip vendoset në pjesën e sipërme të dorës dhe i gjithë procesi zgjat pak sekonda.

Deri më tani janë mbi 3 mijë persona që e kanë realizuar këtë dhe përdorin dorën në vend të një karte identiteti për identifikimin e përditshëm kur shkojnë në palestër, në supermarkete apo të zhbllokojnë zyrën e punës.

Aq ka përparuar ky proces, sa identifikimin përmes këtyre mikroçipave e pranon edhe autoriteti hekurudhor në vend.

Por jo të gjithë janë aq entuziastë. Shumë e cilësojnë tejet të parakohshme dhe të pasigurtë nga ai që njihet në fushën e kriminalistikës kibernetike, si biohacking dhe hakerat mund të përvetësojnë të dhënat e përdoruesve më lehtë se një kartë tradicionale.

Një tjetër dozë pesimizmi lidhet me shkaqe shëndetësore. Mjekët thonë se procedura mund të shkaktojë infeksione të ndryshme dhe të dëmtojë sistemin imunitar të organizmit.

Por, ata që i janë nënshtruar kësaj procedure deri më tani dhe të tjerë që duan ta bëjnë këtë kërkojnë që të avancohet më tej duke deklaruar se nuk ka asnjë arsye se përse mikroçipet identifikues të mos përdoren për pagesa nëpër supermarkete apo shërbime të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë