Futboll

Skena e madhe për Kukësi-Partizani, sfidë me “spec” në “Air Albania”

Kukësi do të shkelë për herë të parë sot në mbrëmje, në orën 19:00, tapetin e “Air Albania Stadium”, ku pret Partizanin, që në impiantin e ri pak kohë më parë humbi derbin me Tiranën pas shumë vitesh. Dy kandidatët kryesorë për titullin kampion përplasen në javën e 19-të në një ndeshje “me spec”, ku gabimi është i ndaluar si për Kukësin, ashtu edhe për Partizanin. Është një nga ato ndeshje, ku pritet të mbizotërojë frika e humbjes dhe mendohet se do të luhet një futboll shumë i kujdesshëm. Kukësi vjen pas dy barazimesh radhazi, ndërsa Partizani ka humbur 4 nga 5 ndeshjet e fundit në kampionat.

Kukësin vjen nga barazimi me Luftëtarin, i konsideruar një hap i gabuar, edhe pse skuadra e trajnerit Shpëtim Duro kryeson renditjen me 32 pikë. Presidenti Safet Gjici vendosi ta gjobiste skuadrën pas asaj ndeshje dhe gjoba zhvlerësohet vetëm nëse Kukësi fiton sot me Partizanin. Lojtarët e dinë mirë këtë gjë dhe mund të jenë më të motivuar në fushë, por nga ana tjetër mund të vuajnë edhe presionin psikologjik të fitores me çdo kusht. Trajneri Duro e ka skuadrën të plotë.

Nga deshja Partizani-Kukësi e fazës së parë, 0-0. Gazeta Si, 26 janar 2020

Po kaq delikate është ndeshja edhe për Partizanin. Me ndryshimin në stol, ku vendin e Lerdës e mori italiani tjetër Sormani, të kuqtë e humbën ndeshjen e parë të vitit 2020 në Korçë, duke mbetur prapa në renditje. Një tjetër hap fals këtë javë dhe aq më shumë ndaj një rivali direkt, do të ishte fatal për kampionët në fuqi. Situata është në disfavor të Partizanit, sepse sot mungojnë lojtarë me peshë si Telushi dhe Broja të skualifikuar nga kartonët, Boldor i dënuar nga Disiplina dhe Mala i pezulluar nga klubi, pa llogaritur shitjen e Asanit. Gjasat janë që Trashi të luajë në mesfushë, ku alternativat janë të limituara.

Dy klubet u kanë bërë apel tifozëve për mbështetje sa më të madhe, pasi skuadra fituese lë pas krahëve minikrizën dhe zhyt rivalin në krizë më të thellë. Kukësin dhe Partizanin i ndajnë 4 pikë aktualisht në renditje. Sot luhen edhe ndeshjet Tirana-Luftëtari dhe Teuta-Bylis. Tirana mund të përfitojë për të kapur kreun, nëse mund Luftëtarin dhe ndeshja Kukësi-Partizani del barazim, ose fiton Partizani. Edhe Teuta ka një shans të mirë për ta parakaluar Bylisin. Skënderbeu mundi dje Flamurtarin 1-0, kurse Vllaznia dhe Laçi barazuan pa gola në Shkodër.

 

Më Shumë