Dosje

Skema korruptive e inceneratorit të Fierit, 4 mln euro për punë fiktive. Roli i Arben Dervishajt, Zotos, Kokës dhe Bllakos

Gazeta Si - Në skemën e korrupsionit për inceneratorin e Fierit, roli i Klodian Zotos, Alqi Bllakos, Lefter Kokës dhe Arben Dervishajt ka qenë gjithëpërfshirës.

Prokuroria ka zbuluar skemën e vjedhjes së miliona eurove me fatura fiktive, ndërkohë që për këtë kompani nga Ministria e Mjedisit dhe më pas Ministria e Energjetikës, kanë vijuar pagesat deri në qershor 2022.

Pas urdhër-arresteve dhe ndalimeve të fundit për këtë aferë, SPAK zbulon se mes të dyshuarve dhe të pandehurve, janë paguar 4 milionë euro për punë të pakryera, ku shteti ka pësuar një dëm prej 60 milionë lekë nga mashtrimi me TVSH-në.

Në këtë mes, biznesmeni dhe zv.presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Arben Dervishaj, dyshohet se manipulonte raportet.

Arben Dervishaj, zv.president i Federatës Shqiptare të Futbollit

SPAK bën me dije se nga hetimet, del se Klodian Zoto (i shpallur në kërkim), aksioner kryesor i shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier”sh.p.k, në bashkëpunim me shtetasin Arenc Myrtezani,  administrator i kësaj shoqërie, kanë pasqyruar dhe përdorur situacione të falsifikuara në vlerën 4,000,000 Euro për shërbime që nuk janë kryer.

Kjo vlerë është e paguar nga Autoriteti Kontraktor dhe është përfituar falë mashtrimit nga shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k.

Ndërkohë, Arben Dervishaj, në cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve të shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, ka marrë përfitime të parregullta  nga shtetasi Klodian Zoto, që kanë konsistuar në përfitime të vlerës së udhëtimeve të tij private për jashtë shtetit, biletave të avionit, qëndrimit në hotele dhe të biletave të ndeshjeve të futbollit në stadium në Itali.

Dervishaj, ka miratuar dhe më pas pasyqyruar/dorëzuar pranë Ministrisë së Mjedisit/Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, situacione për punime fiktive të shoqërisë koncesionare, për shërbime që nuk janë kryer dhe pajisje që nuk janë realizuar në zbatim të kontratës koncesionare.

Falë mashtrimit, zv.presidenti i FSHF-së, ka siguruar përfitime për shoqërinë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, në vlerën 4,000,000 (katër milionë) Euro”.

Ndërkohë sipas SPAK, Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer në fillim me funksionin e lartë shtetëror, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare Ujësjellës Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, është favorizuar nga shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt propozimit dhe marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë.

"Kjo vlerë përfitimi është siguruar në trajtën e pagës së dhënë babait të tij, Edmond Bllako, duke e paraqitur si i punësuar “Drejtor Kantieri” tek shoqëria koncesionare e ndërtimit të Inceneratorit të Tiranës “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k, në pagën mujore 6000 (gjashtë mijë) euro, pagesa të realizuar për periudhën tetor 2018 deri në janar 2020", - thuhet në njoftim.

Po kështu, gjatë hetimeve kanë rezultuar të dhëna që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shuma monetare 146,083,071 lekë që i është faturuar shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., dhe që është paguar më pas nga kjo shoqëri, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., në zhvillimin e procedurës së dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”.

Objekt hetimit janë veprimet e kryera për procedurën e ndjekur në lidhjen e kontratës së koncesionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”, me vlerë të kontratës 32 831 440.85 (tridhjetë e dy milion e tetëqind e tridhjetë e një mijë e katërqind e dyzet) euro, si dhe veprimet e kryera në fazën e zbatimit të kësaj kontrate koncesioni, lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë