Muzike

Skeleti i Bach zbulon arsyen pse kompozitori ishte madhështor edhe në tastierë

Një anatomist gjerman analizoi një fotografi të skeletit të kompozitorit Johann Sebastian Bach, për të llogaritur arritjet mbresëlënëse të tij në tastierën e pianos.

Skeleti i Johann Sebastian Bach

Mesa duket gjeniu i muzikës ka pasur shumë dimensione. Në rastin e kompozitorit Johann Sebastian Bach që jetoi mes viteve, 1685-1750, një e dhënë anatomike mund të ketë rritur virtuozitetin e tij. Në një studim të botuar në një revistë shkencore gjermane, anatomisti dhe muzikanti Andreas Otte konkludoi se përse Bach kishte aq arritje të jashtëzakonshme në tastierë.

Duke përdorur një fotografi të asaj që historianët besojnë se është skeleti i Bach, Otte llogariti madhësinë e dorës, duke vënë re një diferencë mes gishtave në dorën e majtë.

Duke përdorur këto matje, Otte kuptoi se Bach mund të luante atë që quhet një 12-she, (një pozicion që lidh 12 çelësa të bardhë në tastierën e pianos). Kjo arritje është një gjë e pazakontë edhe sot, kur njerëzit përgjithësisht janë më të mëdhenj fizikisht se në kohën e Bach-it.

"Ne nuk mund të gjykojmë saktësisht se sa e rëndësishme është madhësia e dorës për një muzikant", thotë Otte. Ai këmbëngul që hulumtimi i tij nuk duhet interpretuar si kushtëzimi i aftësive muzikore të Bach, pasi sipas tij kjo gjë do të ishte një sakrilegj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë