Lajme

Skandali me tenderin e Unazës, Gjiknuri: Më hetoni. S’kam asnjë lidhje

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri deklaron se SHBA ka konfirmuar falsifikimin e dokumenteve për kompaninë amerikane Dunwell Haberman që ka fituar tenderin për lotin e parë të Unazës së Re me një vlerë 30 milionë dhe se për këtë është marrë vendimi për pezullimin e kontratës.
Gjiknuri doli sot përpara medieve për të shpallur vendimin e prishjes së kontratës me firmën fituese, duke deklaruar se nuk ka qenë ministria që ai drejton që ka kryer tenderimin prej 18 milionë eurosh. Gjithashtu ai njoftoi se veç pezullimit të punimeve pak ditë më parë, tashmë është ndërmarrë edhe hapi tjetër; ai i prishjes së kontratës me kompaninë në fjalë dhe kanë nisur procedurat e sekuestrimit të garancisë prej 10 %.   

“Në datën 7 dhjetor më mëngjes, i jam drejtuar zyrtarisht me shkresë Ambasadës Amerikane, kam takuar zyrtarë të seksionit ekonomik-politik të ambasadës, si dhe kam kontaktuar me kërkesën time përfaqësues të lartë të ambasadës në zyrën time, me synim lehtësimin e verifikimit sa më të shpejtë të dokumentacionit të kësaj kompanie. Të njëjtën gjë kemi kërkuar edhe në rrugë diplomatike, përmes Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Uashington. Nga konfirmimet e mbërritura nga institucionet e sipërpërmendura në të dyja drejtimet rezulton se një pjesë e dokumentacionit të paraqitur nga kompania DH Albania në procedurat e tenderit është i falsifikuar. Një pjesë e informacionit nuk ekzistonte në regjistrat zyrtarë. Janë të dhëna të rreme, janë të dukshme se një pjesë nuk ekzistonte në regjistrat tregtarë sikurse ishte paraqitur në autoritetet shqiptare. Pas marrjes së këtij konfirmimi Autoriteti Rrugor Shqiptar ka zgjidhur kontratën në fjalë dhe do të fillojë procedurat e sekuestrimit të garancisë që ka një vlerë 10 % të kontratës”, tha ministri. Të njëjtat hapa mësohet se janë ndërmarrë edhe për një kontratë tjetër që kishte fituar kompania me Operatorin e Sistemit të Transmetimit.

Ekstrakti i kompanisë


Për Gjiknurin i gjithë dokumentacioni i falsifikuar rezulton të jetë i realizuar jashtë territorit shqiptar.
“Legjislacioni në fuqi nuk kërkon verifikimin e informacionit të ofertuesve, përveç rasteve specifike, kur ka dyshime të arsyeshme për të dhëna të rreme. Pra kështu e ka legjislacioni në fuqi. Pra, ARRSH nuk e ka pasur asnjë detyrim ligjërisht dhe asnjë dyshim të arsyeshëm që të kërkonte verifikim të këtij dokumentacioni përpara lidhjes së kontratës. Nisur nga problematikat e hasura në këto procedura me kompani të huaja apo përfaqësi të tyre, unë sot kam propozuar ndryshime në aktet ligjore dhe nënligjore te Legjislacionit të Prokurimit Publik. Kam propozuar që të sanksionohet qartësisht në ligj, detyrimi që ofertuesit fitues t’i verifikohet në çdo rast informacioni që vetëdeklaron përpara lidhjes së kontratës. Propozimi i është drejtuar zyrtarisht Agjencisë së Prokurimit Publik, për të iniciuar këto ndryshime ligjore. Kjo do të vlejë në të ardhmen për parandalimin e situatave të ngjashme dhe do ti bëjë autoritetet më të kujdesshme në verifikimin e informacioneve përpara lidhjes së kontratës. Propozimi i është drejtuar zyrtarisht Agjencisë së Prokurimeve Publike”, deklaroi Gjiknuri.   

Për akuzat e opozitës
Ministri Gjinkuri tha se qëndrimi i qeverisë ka qenë plotësisht në përputhje me ligjin dhe praktikat më të mira qeverisëse, pasi që në momentin e parë që u vunë në dijeni të këtij rasti, Qeveria ka pezulluar kontratën dhe ka kërkuar verifikim të menjëhershëm për dokumentacionin e kompanisë DH Albania.
Ai iu përgjigj edhe akuzave të opozitës për vizitën në SHBA në ditën kur u krijua firma. “Për sa i përket akuzave se prapa kësaj shoqërie fshihet Damian Gjiknuri po deklaroj me përgjegjësinë time të plotë si ministër, si deputet dhe si qytetar se nuk kam pasur asnjë lidhje dhe as dijeni rreth këtij aktiviteti kriminal të kryer nga kjo kompani. Jam i hapur që drejtësia t’i hetoj deri në fund lidhjet e kësaj shoqërie dhe rolin që ka administrata në këtë proces. Është fat i mirë që siç jeni në dijeni, në SHBA ka filluar një hetim penal për këtë rast. Mirëpresim rezultatet e hetimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nuk besoj se opozita do mund të akuzojë drejtësinë amerikane ashtu sikurse rëndom bën me drejtësinë shqiptare”, deklaroi Gjiknuri. Madje ministri shkoi edhe më tej nëse do të kishte shkelur edhe një ditë të vetme shtetin Delawere do të jepte dorëheqjen.

Gjiknuri në takimin me sekretarin e Shtetit, Pompeo, gjatë vizitës në SHBA, qershor 2018


“Po unë kam qenë në SHBA në periudhën 25-29 qershor i ftuar nga sekretari i Energjisë, Perry në konferencën Botërore të Gazit dhe kam pasur një vizitë zyrtare. Kam pasur takime me zyrtarë të lartë të administratës amerikane, sekretarin Perry, sekretarin Pompeu dhe shumë zyrtarë të tjerë të lartë DASH. Vizita ime është bërë publike dhe është në një rekord publik.
Po këto më duken akuza qesharake për të bërë lidhje të tilla, sepse është njësoj si të them, meqënëse edhe Monika Kryemadhi ka qenë në Amerikë më 25 qershor në Uashington mund të them se edhe ajo ka vajtur me qëllim për të hapur një kompani. Apo Lulzim Basha që shkon shpesh në Holandë, kompanitë holandeze që shpeshherë mund të qëllojnë edhe të përfshira në afera, mund të kenë lidhje me të. Këto janë krejt akuza banale. Unë thashë fati i mirë që në SHBA po bëhen hetime dhe le t’i shkohet deri në fund të vërtetës. Nëse unë kam qenë në shtetin Delawere, qoftë edhe për kaq, nëse unë kam shkelur gjatë periudhës në Amerikë, unë jam gati të jap dorëheqjen, ata që bëjnë akuza të tilla, në të kundërt të kërkojnë falje të madhe publike”, deklaroi Gjiknuri.
Ministri më pas u shpreh se këto gabime mund të kenë ndodhur edhe më përpara, por që nuk janë kapur nga administrata, por u kap ky rast vetëm pasi hyri lupa politike. Por a nuk kishte dyshime shteti për këtë firmë që kishte përfaqësues Avdjol Dobi, e krijuar tre muaj në korrik, tre muaj përpara se të merrte dy tenderat 30 milionë euro dhe se nuk kishte rekorde të bilanceve të punimeve?

Për këtë Gjiknuri shprehet se kompania ka paraqitur dokumentet zyrtare, çka në vlerësim dukej në rregull. “Kompania e huaj është paraqitur me një dokument zyrtar. Entitetin juridik të kompanisë, unë dua ta ndaj nga përfaqësuesi, procedura e tenderimit nuk është organizuar nga kjo ministri kështu që nuk e kisha informacionin e nevojshëm në lidhje me detajet e ofertës. Së katërti thashë kompanitë gjykohen nga dokumentacioni dhe personaliteti juridik që kanë, pavarësisht se kush ka qenë përfaqësuesi i kompanisë. Edhe fakti që ka qenë një ofertë e vetme nuk është hera e parë. Legjislacioni i prokurimi publik bazuar në të direktivat evropiane thotë që një ofertë e vlefshme të jetë në përputhje dhe nuk e kalon ofertën. Nëse ligji nuk është i mirë hajde ta ndryshojmë”, theksoi Gjinkuri, i cili kujtoi se pre e mashtrimeve ka rënë edhe vetë Pentagoni me çështjen e blerjes së armëve të Gërdecit të krijuar nga Efraim Diveroli, apo skandalin e shitjen e Albpetrolin me anë të një banke amerikane.

Ndërkaq ministri bëri të ditur se do të vijojnë punimet për përfundimin e Unazës, me punimet e Lotit II e III, si dhe do të bëhet tenderi nga e para për Lotin I.

Reagimi i PD-së ndaj Gjiknurit
Pas kësaj konference të ministrit ka reaguar edhe Partia Demokratike, e cila ka theksuar se Gjiknuri zgjodhi të dukej si idiot në publik.

“Damian Gjiknuri pretendoi sot se ai dhe ARRSH-ja kanë negociuar e nënshkruar një kontratë 18 milionë euro pa takuar asnjë njeri tjetër veç administratorit fals 26-vjeçar, i cili nuk e ka haberin as nga punimet publike dhe as kontratat publike, dhe ata nuk paskan dyshuar për asgjë?! Gjiknuri pretendoi, gjithashtu, se ai dhe OST-ja kanë negociuar dhe kanë nënshkruar një kontratë tjetër 12 milionë euro përsëri me të njëjtin amator 26 vjeçar dhe as këta nuk kanë dyshuar dhe kuptuar asgjë?! Po çfarë ministrie dhe institucionesh janë këto? Institucione shtetërore apo kioska rruge? Në të vërtetë, Gjiknuri dhe dy drejtorët e mëdhenj të ARRSH-së dhe OST-së janë thjesht shërbëtorët e përdorur nga Edi Rama për të vjedhur dhe pastruar paratë 30 milionë euro. Por tani që u kapën duke vjedhur, ata kanë zgjedhur që më mirë të duken idiotë në publik, se sa të dalin ashtu siç janë: hajdutë të rëndomtë e të paskrupuj”, deklaroi deputeti i PD-së, Agron Shehaj.

Skandali i firmës
Kompania Dunwell Haberman, është regjistruar në Shtetin Delaware të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Emisioni “Të Paekspozuarit” zbuloi, pas bashkëpunimit me autoritetet e Shtetit të Delaware, se kompania ishte themeluar në Qershor të 2018 dhe jo 20 vjet më parë siç kishte deklaruar në Shqipëri, si dhe faktin e falsifikimit të një sërë dokumenteve të tjerë. Ndërsa Zyra e Sekretarit të Shtetit në Delaware konfirmoi për Zërin e Amerikës se ka filluar hetimet për të përcaktuar nëse Dunwell Haberman, ose ndonjë prej zyrtarëve të saj, është përfshirë në aktivitete të paligjshme, mashtrime ose falsifikime. Në Shqipëri, kompania amerikane Dunwell Haberman nuk ka fituar vetëm garën për ndërtimin e një pjese të Unazës së Re, për 18 milion euro pa TVSH, por më 31 Tetor të këtij viti, është shpallur fituese dhe e një tenderi tjetër, këtë herë për ndërtimin e një pjese të linjës 220 kv Burrel-Peshkopi, për një vlerë prej afro 11.7 milion eurosh.
Zëri i Amerikës shkruan në lidhje me këtë skandal se Zyra e Sekretarit të Shtetit në Delaware konfirmoi VOA se ka filluar hetimet për të përcaktuar në se kompania Dunwell Haberman, ose ndonjë prej zyrtarëve të saj, është përfshirë në aktivitete të paligjshme, mashtrime ose falsifikime.
Ka falsifikuar datën e krijimit; në Dalaweare kompania figuron e regjistruar para 6 muajsh, në 25 qershor 2018, ndërsa në Shqipëri ka depozituar dokumente, sikur ekziston që nga qershori i 1998. Dokumenti i dytë, që dyshohet të jetë falsifikuar, është një certifikatë e Sekretarit të Shtetit se kjo firmë nuk i ka detyrime fiskale shtetit. Zëdhënësi i Sekretarit të Shtetit Doug Denison, i tha Zërit të Amerikës, se për certifikatën nuk ka pasur asnjë kërkesë nga firma dhe as nuk është lëshuar ndonjë dokument.
Dokumentet e falsifikuara dolën për herë të parë në Shqipëri gjatë emisionit Të Paekspozuarit” në televizionit News24.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë